Ndërlidhjet

Mogherini shprehet optimiste pas bisedave në Uashington


Federica Mogherini (Foto nga arkivi)
Federica Mogherini (Foto nga arkivi)

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, tha se është optimiste se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, do të mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes atomike me Iranin, pas bisedave të saj me zyrtarët më të lartë në Uashington.

Pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e shtetit, ajo tha se me zyrtarë të administratës Trump është diskutuar po ashtu, edhe për Rusinë.

Presidenti Donald Trump, disa herë i ka përsëritur kritikat e tij për marrëveshjen madhore atomike ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore, me të cilën kufizohen aktivitetet bërthamore iraniane, në këmbim për tërheqje të disa sanksioneve ekonomike.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, zoti Trump ka vlerësuar se “kjo ishte njëra prej marrëveshjeve më të këqia që është bërë ndonjëherë”, por konsiderohet se ai ka dërguar mesazhe të përziera lidhur me qasjen e tij ndaj marrëveshjes.

Trump disa herë ka thënë se do ta “shkatërrojë” atë, megjithqë, po ashtu, ka theksuar se do të zhvillonte “negociata të reja” për kushtet e marrëveshjes.

Zonja Mogherini tha se diskutimet për marrëveshjen me Iranin ishin qëllimi kryesor i saj gjatë vizitës në Uashington dhe se ajo është e kënaqur me bisedime.

“Jam risiguruar nga ajo që kam dëgjuar në takime, për synimin për implementim të plotë të marrëveshjes, në të gjitha pjesët e saj”, tha Federica Mogherini.

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson (djathtas) dhe shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini (majtas)
Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson (djathtas) dhe shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini (majtas)

Në diskutimet e saj me zyrtarët e administratës Trump për Rusinë, të dy palët janë pajtuar se Moska duhet t’i respektoj kushtet e armëpushimit të vitit 2015, të njohur si Marrëveshja e Minskut, që synon ndaljen e luftimeve ndërmjet forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në pjesën lindore të Ukrainës.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera, kanë imponuar sanksione kundër Rusisë për shkak të konfliktit dhe për aneksimin e Krimesë së Ukrainës, në mars të vitit 2014.

“Ne jemi pajtuar për nevojën që të kemi implementim të plotë të Marrëveshjeve të Minskut dhe se sanksionet janë të ndërlidhura me implementimin e plotë të Marrëveshjeve të Minskut”, tha mbrëmë para gazetarëve në Uashington, Federica Mogherini.

Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, janë vrarë më se 9,750 vetë.

Komentet pozitive të zotit Trump për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe deklaratat e tij për dëshirë që të ketë raporte më të mira me Rusinë, kanë shkaktuar shqetësime në mesin e politikanëve amerikanë të të dy partive, dhe ndër aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, javën e kaluar ka shprehur “dënim të fuqishëm të aksioneve të Rusisë” në pjesën lindore të Ukrainës dhe tha se “sanksionet e ndërlidhura me Krimenë do të mbeten ashtu siç janë derisa Rusia t’ia kthejë kontrollin Ukrainës për këtë gadishull”.

Nuk ishte e qartë nëse ambasadorja Haley u referohej edhe sanksioneve të imponuara kundër Rusisë për shkak të mbështetjes së separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës.

I pyetur për sanksionet gjatë një konference për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, zëdhënësi Sean Spicer, iu referua komenteve të ambasadores Haley.

“Sa u përket sanksioneve që në mënyrë specifike merren me Ukrainën dhe Krimenë, mendoj se ambasadorja Haley ka folur shumë qartë për këtë”, tha Sean Spicer.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG