Ndërlidhjet

Dënohet fuqishëm prova raketore e Koresë Veriore

  • RFE /RL

Ilustrim

Zyrtarët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore thanë se Koreja Veriore e ka kryer një provë raketore balistike, të dielën herët në mëngjes.

Rrjedhimisht, Uashingtoni, Seuli dhe Tokioja thonë se po i shqyrtojnë të gjitha opsionet për ta ndëshkuar Korenë Veriore, të cilën e kanë cilësuar si shtet të papërgjegjshëm.

Zyrtari i lartë i Qeverisë së Japonisë, Yoshihide Suga, për këtë zhvillim ka folur të dielën në një konferencë për gazetarë në Tokio.

“Raketa balistike duket se është lansuar nga bregdeti perëndimor i Koresë Veriore, dhe ka rënë në Detin e Japonisë. Megjithatë, ne besojmë se ajo nuk ka rënë në zonën tonë ekskluzive ekonomike”, tha Yoshihide Suga. Zona ekskluzive ekonomike nënkupton një territor detar, në të cilin një shtet përkatës ka të drejta ekonomike, por jo territoriale.

Zyra e Shtatmadhorisë së ushtrisë së Koresë Jugore ka njoftuar se raketa “kishte fluturuar në distancë 500 kilometra dhe Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë analiza të hollësishme për ndonjë informacion shtesë”.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë konfirmuar se e kanë gjurmuar raketën dhe se ajo me gjasë ishte me rreze të mesme veprimi, por nuk ishte e karakterit balistik ndërkontinental. Rrjedhimisht, sipas tyre, ajo nuk paraqet kërcënim për Shtetet e Bashkuara.

Këto raporte për lansim të raketës balistike të Koresë Veriore u paraqitën në kohën kur në Floridë të Shteteve të Bashkuara, ku presidenti amerikan, Donald Trump, takohej me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.

Zoti Trump tha se ai qëndron “100% me Japoninë”, derisa Abe tha se lansimi i raketës veri-koreane është “absolutisht i papranueshëm”.

Më herët një zyrtar amerikan tha se administrata e presidentit, Donald Trump, e kishte pritur këtë “provokim” nga Koreja Veriore dhe se po shqyrtohen opsione “të ndryshme, përfshirë sanksione financiare dhe prani e shtuar detare në rajon”.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Koresë Jugore, Hwang Kyo-ahn, tha se vendi i tij do të përgjigjet për ta ndëshkuar veriun për lansimin e raketës, duke e dënuar atë që ai e cilësoi si “shkelje flagrante dhe të qartë” të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe “kërcënim serioz” për sigurinë ndërkombëtare.

Në këtë frymë është shprehur edhe zyrtari i lartë qeveritar i Japonisë, Yoshihide Suga.

“Madje, edhe nga pikëpamja e sigurisë së anijeve dhe aeroplanëve tanë, ky lansim balistik është një akt ekstremisht problematik. Ai, po ashtu, paraqet shkelje të qartë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne absolutisht nuk mund t’i pranojmë këto provokime të vazhdueshme të Koresë Veriore. Ne kemi protestuar fuqishëm kundër tyre”, tha Suga.

Ky është lansimi i parë i tillë i Koresë Veriore, prej se Donald Trump e ka filluar presidencën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe kjo mund të shihet si sfidë dirkete ndaj administratës së re amerikane.

Zyra Jugore e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Amerikane tha se “vlerësimi ynë është se kjo është pjesë e tregimit të forcës në përgjigje të pozicionit të linjës së fortë të administratës së re të Shteteve të Bashkuara kundër Veriut”.

Gjenerali amerikan në pension, Mark Hertling, i tha rrjetit CNN se testi i Koresë Veriore është hap kah raketa ndërkontinentale balistike.

“Ky është qëllimi i politikanëve të Koresë Veriore”, tha Hertling dhe ka shtuar se “kjo raketë ndërkontinentale është me siguri e rrezikshme”.

Mëtutje ai ka shpjeguar se kjo raketë “ka rreze veprimi më të gjatë” se ato që janë përdorë deri tash dhe ka konstatuar se “kjo nuk është shqetësuese vetëm për Shtetet e Bashkuara, që mund të goditen në tokën e saj, por është shqetësim edhe për të gjithë partnerët aziatikë” të Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG