Ndërlidhjet

Koreja V. bën “provokim të armatosur”, Këshilli i Sigurimit mblidhet urgjent

  • RFE /RL

Kim Jong-Un dhe pjesëtarë të Ushtrisë Popullore të Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut tha se ka testuar “me sukses” një raketë balistike, me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, çfarë bëri që Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia të kërkojnë takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Phenjan KCNA tha se raketa Pukguksong-2 është një lloj i ri i armës strategjike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore.

KCNA tha se raketa është hedhur më 12 shkurt, “qëllimisht në një kënd më të gjerë, duke marrë në konsideratë sigurinë e vendeve fqinje”. Sipas agjencisë, udhëheqësi Kim Jong Un ka qenë i parnishëm dhe ka udhëzuar nisjen.

“Kim shprehu kënaqësi të madhe për posedimin e një tjetër mjeti të fuqishëm bërthamor, i cili i shton fuqinë vendit”, citoi agjencia KCNA.

Phenjani nuk e ka fshehur dëshirën për të zhvilluar armë bërthamore dhe ka kryer dy prova atomike dhe disa teste raketore vitin e kaluar.

Një zyrtar i misionit amerikan në Kombet e Bashkuara tha se SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, për të diskutuar situatën.

Misioni i Ukrainës, i cili mban presidencën e Këshillit, tha se takimi do të mbahet sot, në orën 17:00, sipas kohës lokale.

Tensionet janë rritur në Gadishullin Korean, prejse Kim, muajin e kaluar, tha se vendi është afër testimit të një rakete balistike interkontinentale.

Zyrtarët amerkanë thanë se kanë gjurmuar provën dhe se nuk paraqet rrezik për SHBA-në.

Testimi i raketës në fundjavë ka qenë i pari i tillë nga Koreja e Veriut prejse presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka marrë detyrën dhe është parë si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Trumpit.

Gjatë një vizite në Korenë e Jugut, javën e kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se çdo përdorim i armëve bërthamore nga Koreja e Veriut do ta ketë “përgjigjen e duhur”.

Ai po ashtu rikonfirmoi planet për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut.

Rezolutat e Kombeve të Bashkuara i ndalojnë Koresë së Veriut të kryejë prova me raketa balistike, me qëllim parandalimin e saj që të bëhet fuqi e plotë bërthamore.

Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se prova raketore është “provokim i armatosur”, ndërsa Ministria e Jashtme jugkoreane tha se “provokimet e vazhdueshme të Veriut tregojnë për natyrën iracionale të regjimit të Kim Jong Unit dhe fiksimin maniak të tij për zhvillimin bërthamor”.

Prova e së dielës është dënuar fuqishëm edhe nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG