Ndërlidhjet

SHBA: Michael Flyn ka dhënë dorëheqje


Michael Flynn
Michael Flynn

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se këshilltari për siguri kombëtare, Michael Flynn, mbrëmë vonë ka dhënë dorëheqje për shkak të raproteve se ai i ka keqinformuar zyrtarët e lartë të presidentit, Donald Trump, lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak.

Largimi i zotit Flynn, më pak se një muaj pas inaugurimit të administratës Trump, shënon një lëkundje të hershme në ekipin e këshilltarëve të lartë presidencialë.

Michael Flynn ishte një mbështetës lojal i zotit Trump gjatë gjithë fushatës presidenciale vitin e kaluar, por lidhjet e tij me Rusinë shkaktuan shqetësim në mesin e zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës Trump.

Në këtë kuadër, zoti Flynn fillimisht i kishte thënë zëvendëspresidentit, Mike Pence, se ai nuk kishte diskutuar për sanksione me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, gjatë disa bisedave telefonike, që i kishin zhvilluar gjatë muajit dhjetor, derisa presidenti i atëhershëm, Barack Obama, po e përgatiste rundin e ri të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të sulmeve kibernetike ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Por, më vonë, Flynn në një intervistë pranoi se ai ndoshta kishte biseduar për sanksione me ambasadorin rus.

Diskutimet e tilla mund të paraqesin shkelje të legjislacionit amerikan, i cili shtetasve privatë nuk u lejon udhëheqje të politikës së jashtme.

Shtëpia e Bardhë e ka emrëruar gjeneralin e pensionuar, Keith Kellogg, si ushtrues i detyrës së këshilltarit për siguri kombëtare.

XS
SM
MD
LG