Ndërlidhjet

Rusia “ndërhyn” edhe në zgjedhjet në Francë


Një gazetare në Rusi mban portretet e presidentit rus, Vladimir Putin, lideres së Frontit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Një gazetare në Rusi mban portretet e presidentit rus, Vladimir Putin, lideres së Frontit Kombëtar në Francë, Marine Le Pen, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Franca tha se nuk do të pranojë ndërhyrjet e Rusisë ose të ndonjë vendi tjetër në zgjedhjet e saj presidenciale dhe se mund t’iu përgjigjet ndërhyrjeve të tilla me “masa hakmarrëse”.

Komentet e ministrit të Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, vijnë disa javë pasi zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë dalë me përfundinin se hakerë të mbështetur nga Kremlini, kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit.

“Ne nuk do të pranojmë asnjë ndërhyrje në procesin tonë zgjedhor, as nga Rusia, as nga ndonjë shtet tjetër”, tha Ayrault.

Kandidati pro-evropian për president të Francës, Emmanuel Macron, akuzoi, pak ditë më parë, Moskën për sulme kibernetike në ueb-faqen dhe emailet e fushatës së tij.

Kremlini i hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar si absurde.

Rusia po ashtu ka mohuar se ka ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, për t’i ndihmuar Trumpit që të mposhtë kandidaten demokrate, Hillary Clinton.

Në kohën kur partitë e mëdha në Francë luftojnë me skandale dhe ndarje të brendshme, Marine Le Pen nga partia e ekstremit të djathtë “Fronti Kombëtar” shihet si favorite në zgjedhje.

Sondazhet e nxjerrin atë dhe Macronin në balotazh. Le Pen është kritike e Bashkimit Evropian dhe mbështet politikën ruse në Ukrainë.

Meqë statusi i Macronit po rritet gjithnjë në sondazhe, mediat shtetërore ruse dhe ueb-faqet pro Kremlinit e kanë vënë atë në shënjestër të sulmeve.

Në janar, ministri i Mbrojtjes i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka paralajmëruar se sulmet kibernetike në vendin e tij janë rritur në mënyrë dramatike gjatë tre vjetëve të kaluar dhe se zgjedhjet presidenciale të prillit mund të bëhen cak.

Rusia është fajësuar edhe për një sulm kibernetik në Parlamentin e Gjermanisë në vitin 2015. Politikanë gjermanë kanë paralajmëruar se zgjedhjet parlamentare të këtij vendi, që mbahen këtë vit, janë në rrezik nga “manipulime të jashtme” të hakerëve dhe të tjerëve që veprojnë për shtetin rus.

Paralajmërimet në Francë dhe në Gjermani vijnë pasi një raport i inteligjencës amerikane, i lëshuar më 6 janar, ka konstatuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “ka urdhëruar” fushatë të sulmeve kibernetike dhe manipulimeve mediatike, me qëllim për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG