Ndërlidhjet

Mattis konfirmon mbështetjen amerikane për NATO-n


Në Bruksel ka përfunduar takimi dyditor i ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Ky takim ishte i pari për Sekretarin e ri Amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.

Ai ua ka konfirmuar aleatëve vazhdimin e përkushtimit amerikan për NATO-n, duke thënë se „Artikulli 5“, për mbrojtjen kolektive mbetet „i fortë si guri“. Por, ai tha se do të kërkojë nga aleatët tjerë në NATO, që të ndajnë më shumë mjete financiare për të kontribuar në mbrojtjen e përbashkët.

Edhe pse Kosova nuk ka qenë temë e veçante në këtë takim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka përmendur angazhimin e NATO-s në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë si shembull se çfarë mund të bëj aleanca në një periudhë pas konfliktit për ndërtimin e paqes dhe forcimin e strukturave vendore të sigurisë.

Këto komente, ai i ka bërë kur është pyetur për rolin eventual të NATO-s në të ardhmen në Siri. Stoltenberg, ka përmendur si sukses ndihmën që NATO-ja i jep forcave të armatosura të Bosnje e Hercegovinës si dhe Forcës së sigurisë në Kosovë.

Ndërkohë, ministrja e mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli ka njoftuar se në këtë takim ka folur për atë që ajo e ka quajtur provokim të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës dhe ka shprehur shqetësimin e saj për zhvillimet e fundit atje të cilat tensionojnë situatën si pasojë e retorikës nacionaliste dhe veprimeve të Serbisë, por edhe të disa aktorëve tjerë të huaj.

Agjencitë kanë njoftuar se ministrja e Shqipërisë, Kodheli së bashku me kolegun nga Kroacia,

Damir Krstiqeviq i kanë shkruar një letër të përbashkët Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg përmes së cilës kanë tërhequr vërejtën për provokimet nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës që kanë për qëllim cenimin e sovranitetit të Kosovës dhe destabilizimin e rajonit.

Shqipëria dhe Kroacia, sipas këtyre burimeve, kërkojnë që NATO, të rishqyrtoj planin operativ të misionit të KFOR-it. Po ashtu, këto dy shtete kanë shprehur edhe mbështetjen e tyre transformimit të FSK-së në një ushtri zyrtare të Kosovës.

Në këtë moment, sipas shifrave të fundit të bëra publike nga NATO-ja, misioni i KFOR-it në Kosovë ka në përbërje 4.273 pjesëtarë, prej të cilëve, numrin më të madh e përbëjnë amerikanët me 675 pjesëtare.

Pasojnë Italia me 551, e cila e ka edhe Komandën e KFOR-it, Gjermania me 530 dhe Austria e cila, edhe pse nuk është anëtare e NATO-s, ka afër 500 ushtarë në Kosovë.

Nga zyrtarë të NATO-s edhe kësaj radhe janë dërguar mesazhe se duan raporte të mira edhe me Rusinë, por u tha se kjo varët edhe nga sjellja e Rusisë.

"Ne do të vazhdojmë të punojmë për një dialog me Rusinë. Nuk duam ta izolojmë Rusinë. Nuk duam një luftë të ftohtë. Ne po punojmë për marrëdhënie më konstruktive me Rusinë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë pikërisht këtë”, ka thënë Stoltenberg.

“Por, natyrisht, dialogu ynë me Rusinë duhet të bazohet në disa parime themelore, respektimin e integritetit territorial të të gjitha shteteve në Evropë, përfshirë edhe Ukrainës“, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Ministrat e NATO-s kanë folur edhe për bashkëpunimin e madh në luftën kundër terrorizmit dhe për mbrojtjen nga sulmet kibernetike. (REL)

XS
SM
MD
LG