Ndërlidhjet

Trump e mbrojti Flynnin dhe i kritikoi mediat


Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka mbrojtur ish-këshilltarin e tij, Michael Flynn, lidhur me kontaktet e konfirmuara me zyrtarërt rusë, para inaugurimit të tij në presidencë, më 20 janar.

Këto komente ai i bëri mbrëmë në konferencën e tij për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, në kohën ku po rritet zemërimi në Uashington për shkak të bisedave telefonike të zotit Flynn me ambasadorin e Rusisë.

Dorëheqja e zotit Flynn ka nxitur thirrje nga republikanët dhe demokratët në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, për hetime lidhur me lidhjet potenciale të ndihmësve të Trumpit, që mund t’i kenë pasur me zyrtarët rusë, para zgjedhjeve presidenciale amerikane, vitin e kaluar.

Trump e ka mbrojtur këshilltarin Flynn dhe një ish-ndihmës të tij, kundër sugjerimeve se ata ndoshta kanë pasur lidhje jopërkatëse me zyrtarët rusë. Ai i kritikoi edhe gazetarët e pranishëm në konferencë për shtyp.

“Mike Flynn është njeri i mirë dhe unë kërkova dorëheqjen e tij, të cilën ai me respekt e paraqiti. Ai është njeriu i cili i ka dhënë sasi të caktuar të informacionit zëvendëspresidentit, Mike Pence, që është këtu me ne, dhe unë nuk isha i kënaqur me mënyrën se si ky informacion ishte dhënë. Ai nuk është dashur ta bëjë këtë, pasi ajo që bëri ai nuk ishte gabim".

"Ajo që ishte gabim, ishte mënyra se si njerëzit e tjerë, përfshirë juve në këtë sallë, se si ky informacion ishte dhënë, pasi ai ishte sekret. Ishte dhënë ilegalisht, ky është problem real dhe ju mund të flisni sa të doni për Rusinë, që të gjitha janë lajme të rrejshme, marrëveshje e fabrikuar në përpjekje për arsyetim të disfatës së demokratëve dhe natyrisht, shtypi e ka luajtur rolin e vet në këtë çështje”, tha Trump.

Megjithatë, presidenti amerikan tha se nuk ishin të pranueshme pretendimet e mëvonshme të Flynnit se ai nuk i mbante mend detajet e bisedës së tij telefonike me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, në muajin dhjetor.

Kjo bisedë kishte ndodhur derisa presidenti i atëhershëm, Barack Obama, po e përgatiste raundin e sanksioneve të reja kundër Rusisë.

Rrjedhimisht, është ngritur çështja nëse zoti Flynn e ka shkelur legjislacionin amerikan i cili shtetasve privatë nuk u lejon të zhvillojnë negociata me përfaqësuesit e shteteve të jashtme, që kanë mospajtim me Shtetet e Bashkuara, pa autorizimin e qeverisë.

Donald Trump tha se megjithë trazirat me të cilat po ballafaqohen ai dhe kabineti i tij, në më pak se një muaj prej inaugurimit, “administrata e tij funksionon si një makinë e akorduar mirë”.

Ai e ka mbrojtur edhe ish-bashkëpunëtorin e tij, Paul Manafort, i cili kishte shërbyer si këshilltar i ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, dhe partinë e tij proruse në periudhën 2004 - 2010, dhe ishte përmendur në një raport të së përditshmes, New York Times, këtë javë.

Manafort kishte paraqitur dorëheqje në postin e shefit të fushatës së zotit Trump në gusht të vitit të kaluar, për shkak të raporteve për punën e tij lobuese për personalitetet politike ukrainase ose njerëzit që kishin lidhje me Ukrainën.

Presidenti amerikan ka sugjeruar se mediat e kishin dëmtuar ri-afrimin me Rusinë.

“Raportimi i rrejshëm, i tmerrshëm, e bënë shumë më të vështirë arritjen e marrëveshjes me Rusinë”, tha Trump.

Ai, po ashtu, është shprehur edhe për raportin e tij ndaj Rusisë.

“Duke folur për vetveten ju them se nuk kam asnjë pronë në Rusi, nuk kam kredi në Rusi, nuk kam kurrfarë marrëveshje me Rusinë. Presidenti Putin me ka thirrur në mënyrë shumë të mirë për të më uruar për fitore në zgjedhje, e pastaj ai më thirri në mënyrë ekstremisht të mirë për të ma uruar inaugurimin tim, ashtu siç kanë vepruar edhe shumë liderë të tjerë, pothuajse të gjithë liderët e tjerë nga gati të gjitha vendet e tjera”, tha Donald Trump.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG