Ndërlidhjet

Trump përsërit sulmet ndaj medieve gjatë fjalimit në Florida

  • RFE /RL

Presidenti Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vazhduar sulmet ndaj medieve. Ai ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim do të vendosë për një këshilltar të ri për Siguri Kombëtare, derisa e ka mbajtur një miting të ngjashëm me ato të fushatës në Florida.

Trump në fjalimin e tij, gjithashtu, e ka përsëritur se ai dëshiron krijimin e zonave të sigurta në Siri dhe vende të tjera për refugjatët, për të cilat do të paguajnë vendet arabe në rajonin e Gjirit Persik.

Duke folur në një hangar të aeroplanëve në Melbourne të shtetit federal amerikan, Florida, presidenti u është kthyer shumë temave që i ka përmendur gjatë fushatës parazgjedhore presidenciale.

Tema, për të cilën ai ka folur me më shumë pasion ka qenë sulmi ndaj medieve.

Trump i ka thënë turmës së përkrahësve se ai dëshiron të flasë me ta pa filtrin e “lajmeve të rreme”.

Ai ka akuzuar “mediet e pasinqerta” se publikojnë shumë lajme të rreme rreth administratës së tij.

Ai ka thënë se kur mediet i gënjejnë njerëzit, ai nuk do të lejojë që ato t’ia dalin me ato gënjeshtra.

Ndërsa, për këshilltarin për Siguri Kombëtare, Trump ka paralajmëruar se do të intervistojë kandidatët e mundshëm gjatë qëndrimit në Florida.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer para fjalimit të presidentit ka thënë se kandidatët që do të intervistohen nga Trump janë:gjenerallejtënanti i pensionuar i ushtrisë, Keith Kellog, ish-ambasadori i SHBA-së në OKB, John Bolton, gjenerallejtënant H.R. McMaster dhe gjenerallejtënant Robert Caslen, që është i angazhuar në akademinë amerikane të ushtrisë.

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn, është detyruar të dorëhiqet më 13 shkurt pas zbulimit se ai e ka mashtruar nënpresidentin, Mike Pence rreth diskutimit me ambasadorin rus në SHBA për sanksionet amerikane ndaj Rusisë, derisa Trump ende nuk ishte inauguruar si president.

Rreth Sirisë, Trump ka thënë se zonat e veçanta do të mundësojnë që refugjatët të jenë të sigurt në rajon.

Ai ka thënë se kjo do i mbajë edhe terroristët potencial jashtë SHBA-së.

“Ne i duam njerëzit që do të jenë të mirë me shtetin tonë”, ka thënë Trump, dhe ka shtuar: “ne nuk i duam njerëzit me idetë e këqija”.

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG