Ndërlidhjet

Shefi i Pentagonit arrin në Bagdad, forcat irakiane avancojnë drejt Mosulit perëndimor

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis arrin në Bagdad

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka arritur në Bagdad në një vizitë të paparalajmëruar duke pasur në fokus betejën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Mattis ka shkuar në Bagdad një ditë pasi kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi ka njoftuar për nisjen e operacionit ushtarak kundër Shtetit Islamik në Mosulin perëndimor.

Komentet e para që sekretari Mattis ka bërë në kryeqytetin irakian, kanë pasur qëllim që të sigurojë liderët e këtij shteti të habitur nga propozimi i bërë gjatë fushatës zgjedhore amerikane nga presidenti Donald Trump, për marrjen e naftës së Irakut në këmbim të përkrahjes ushtarake amerikane.

“Të gjithë ne në Amerikë, në përgjithësi kemi paguar për naftën dhe gazin tonë, dhe jam i sigurt që ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen. Ne nuk jemi në Irak që ta okupojmë naftën e askujt”, ka thënë Mattis.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan po bëhet derisa Qeveria e Irakut po bëjnë përpjekjet e fundit për të rimarrë Mosulin perëndimor.

Forcat irakiane, të përkrahura nga sulmet ajrore që udhëhiqen nga SHBA-ja, që katër muaj po luftojnë kundër militantëve të IS-it në Mosul.

Forcat qeveritare kanë rimarrë lagjet në anën lindore të lumit Tigër, por militantët islamik vazhdojnë të kontrollojnë pjesën perëndimore të qytetit.

Ushtarët irakianë avancuan të hënën drejt aeroportit të Mosulit, por u përballen me rezistencë të militantëve. Korrespondentët thonë se militantët po përdorin pajisje të mëdha shpërthyese për të ngadalësuar hovin e ushtrisë.

Forcat qeveritare, megjithatë, kanë rimarrë një stacion të energjisë elektrike dhe kanë vrarë disa militantë, përfshirë snajperistë.

Analistët thonë se rikthimi i pjesës perëndimore të Mosulit do të jetë më i vështirë sesa rimarrja e pjesës lindore, për shkak të infrastrukturës, rrugëve të ngushta dhe gjarpërore.

“Mosuli Perëndimor ka potencial për të qenë më i vështirë, me luftime më të përgjakshme dhe në shkallë më të gjerë”, tha Patrick Skinner, nga grupi konsulent për inteligjencë Soufan.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për civilët e bllokuar në Mosul. Sipas disa raporteve, besohet se numri i tyre arrin në 650,000.

“Situata është shqetësuese. Njerëzit janë në vështirësi. Po dëgjojmë raporte se prindërit luftojnë për të ushqyer fëmijët dhe për të ngrohur shtëpitë”, tha Lise Grande, koordinatore për çështje humanitare e OKB-së.

Ofensiva për rimarrjen e Mosulit ka nisur qysh më 17 tetor, më shumë se dy vjet pasi xhihadistët kanë marrë kontrollin e qytetit.

Sipas shifrave të OKB-së, së paku 1,096 veta janë vrarë gjatë ofensivës dhe shumica prej tyre janë civilë.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar forca tokësore, mbështetje logjistike e të tjera.

Pak para se të arrinte në Irak, sekretari amerikan i mbrojtjes, Mattis nga Abu Dabi është zotuar se përkrahje amerikane për Irakun do të vazhdojë.

"Forcat e SHBA-së vazhdojnë të kenë rolin e njëjtë që e kishin edhe në Mosulin lindor, dhe forcat e koalicionit janë duke e përkrahur këtë operacion. Ne do të vazhdojmë, siç e dini, me përpjekje të shtuara për të shkatërruar ISIS-in (grupin ekstremist, Shtetit Islamik)”, ka thënë Mattis.

Përgatiti: V.Tela/A.Haraqija

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG