Ndërlidhjet

Zyrtarët e BE-së ia rikujtojnë Prishtinës kushtet për liberalizimin e vizave


Ilustrim

Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi mbetet sfida kryesore për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Kështu u tha në Samitin e komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të shteteve të Evropës, që po mbahet në Prishtinë.

Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e vizave për Kosovën, Tanja Fajon tha se Kosova duhet të ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi në mënyrë që të hapet rruga e liberalizimit të vizave.

“I ftoj deputetët dhe i lus ata që të mos e stopojnë procesin e liberalizimit të vizave për interesa partiake”, ka thënë Fajon.

“Duhet bërë çfarë është e mundur për ta ratifikuar marrëveshjen në ditët e ardhshme. Tani çështja është në duart tuaja”, ka theksuar Fajon.

Ndërkaq, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova ka insistuar që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret e mbetura, ku bëjnë pjesë demarkacioni dhe lufta kundër korrupsionit.

“Ne insistojmë që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret. Politikanët e mbajnë çelësin për liberalizim, ata duhet të miratojnë demarkacionit dhe të marrin masa në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Apostolova.

Në punimet e Samitit kanë folur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe personalitete tjera politike.

Kryekuvendari, Kadri Veseli ka thënë se Kosova ka dëshmuar se është një faktor konstruktiv i paqes në rajon.

“Kemi ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët tanë, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe jemi të përfshirë në një dialog të përmirësimit të raporteve me fqinjin tonë verior, Serbinë”, ka deklaruar ai.

Në këtë samit do të marrin pjesë përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, drejtues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore.

Panelistët dhe pjesëmarrësit e tjerë do të diskutojnë për perspektivat e zgjerimit të BE-së, përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare, për krizën e emigracionit, si dhe për luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon.

XS
SM
MD
LG