Ndërlidhjet

Plani i ligjvënësit të panjohur ukrainas ka arritur në Shtëpinë e Bardhë


Andriy Artemenko (në të djathtë)
Andriy Artemenko (në të djathtë)

Ligjvënësi pak i njohur ukrainas, Andriy Artemenko, është në qendër të vëmendjes, pasi një raport gazetaresk thekson se një propozim për paqe në këmbim për zbutje të sanksioneve, për të cilin ai thotë se është bashkautor, ka arritur në tavolinën e këshilltarit për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, i cili tashmë ka paraqitur dorëheqje.

Zoti Artemenko nga Partia Radikale pretendon se plani i tij i detajizuar i paqes në pjesën lindore të Ukrainës, ishte miratuar nga ndihmësit e lartë të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Por, Kremlini menjëherë i ka hedhur poshtë këto pretendime.

E përditshmja, New York Times, që e ka zbuluar këtë zhvillim, ka raportuar se ky plan kishte përfunduar në duart e zotit Flynn, duke kaluar nëpër zinxhirin e ndihmësve të presidentit, Donald Trump.

Zoti Flynn ka paraqitur dorëheqje javën e kaluar për shkak të dyshimeve se i ka keqinterpretuar diskutimet e tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington, në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Artemenko – lider i ardhshëm i Ukrainës i stilit Trump

Deputeti Artemenko, i cili nga gazeta është përshkruar se e konsideron vetveten si “lider i ardhshëm i Ukrainës i stilit Trump”, po ashtu, ka pretenduar se ka dëshmi për korrupsion të presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.

Sipas tij, këto dëshmi ku përfshihen “emrat e kompanive, transferet e parave”, do të ndihmonin në përmbysjen e Poroshenkos, biznesmen dhe pronar i mediave, i cili është zgjedhur president disa muaj pasi Rusia e aneksoi Krimenë e Ukrainës dhe pasi separatistët e mbështetur nga Rusia kanë arritur përfitime në pjesët lindore dhe jugore të Ukrainës.

Përpjekjet e Artemenkos, i cili i ka kaluar më tepër se dy vjet në burg në Ukrainë në fillim të vitit 2000 për akuza të keqpërdorimit, të cilat më vonë janë tërhequr, derisa Artemenko pretendonte se akuzat ishin të motivuara politikisht, i kanë zemëruar pa masë zyrtarët ukrainas.

Një zëdhënës i presidentit Petro Poroshenko, i tha Radios Evropa e Lirë se administrata nuk do t’i komentojë akuzat për korrupsion kundër tij derisa të paraqiten provat.

Në Kiev nuk komentohen pretendimet e ligjvënësit

Kievi ka synuar kapërcimin e dallimeve me Donald Trumpin, prej se biznesmeni i pasur nga Nju Jorku, është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët ukrainas ishin publikisht kritik ndaj Trumpit, i cili gjatë fushatës së tij zgjedhore shpeshherë ka folur për ripërtritje të raporteve me Rusinë, e cila e ka okupuar Krimenë në vitin 2014 dhe vazhdon t’i mbështes separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.

Shumë njerëz në Kiev hezitonin ta komentonin planin Artemenko ose për akuzat e paqarta kundër Poroshenkos, për shkak se ligjvënësi është relativisht i panjohur dhe ata nuk kanë parë dëshmi për pretendimet e tij.

Artamenko është cituar nga mediat e Ukrainës se plani i tij mund ta hapë rrugën për tërheqje të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, atëherë kur të kompletohen të gjitha elementet e tjera.

Raportohet se ai ka theksuar se Ukraina do t’ia jepte Krimenë me qira afatgjatë Rusisë dhe do të ofronte amnisti për shumë separatistë në pjesën lindore në këmbim për ndihmën e Moskës në kthimin e kontrollit në autoriteteve të Kievit në pjesën lindore të kufirit të Ukrainës.

Nga nisma e Artemenkos distancohet partia e tij

Nga nisma e zotit Artemenko janë distancuar edhe kolegët e Partisë Radikale, duke e përjashtuar atë nga klubi parlamentar.

Lideri i kësaj partie, Oleh Lyashko, ka kërkuar që Artemenkos t’i merret mandati i deputetit dhe ka vlerësuar se “Rusia është agresore, Rusia është okupuese dhe Rusia duhet të largohet nga Ukraina”. Ai ka vlerësuar se ajo që propozon Artemenko është qëndrim i tij, raporton agjencia Interfax në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë ka komunikuar nëpërmjet rrjetit Facebook me Artemenkon, i cili ka konfirmuar se plani kishte arritur te ndihmësit e presidentit Trump.

Por, nga ana e Shteteve të Bashkuara nuk ka pasur pranim zyrtar se nismat e këtij ligjvënësi ukrainas ishin marrë ose ishin shqyrtuar seriozisht brenda Shtëpisë së Bardhë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG