Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Serbi ‘bllokojnë’ dialogun


Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, pas nominimit për president të Serbisë.

Zgjedhjet presidenciale në Serbi ka shumë gjasa që të ndikojnë jo vetëm tek serbët që jetojnë në Kosovë, por rrjedhimisht edhe në procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë theksuar autoritetet në Kosovë.

Ciklet zgjedhore në të dyja vendet, thonë zyrtarët në Prishtinë, kanë shtyrë për një afat zhvillimin e dialogut dhe njëkohësisht edhe proceset e ndërlidhura me zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Zgjedhjet presidenciale në Serbi janë paraparë të zhvillohen në pranverën e këtij viti, jo më shumë se një vit pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në këtë vend.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se fushatat zgjedhore dhe deklaratat nxitëse gjatë zgjedhjeve në Serbi, ‘gjithnjë kanë reflektuar edhe në Kosovë’.

​Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i tha Radios Evropa e Lirë se fushatat zgjedhore që ndodhin në Serbi provojnë një marketing politik në dëm të marrëdhënieve mes dy shteteve duke ‘bllokuar procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve”.

"Gjatë këtyre gjashtë viteve të dialogut, sa herë që ka pasur zgjedhje në të dyja shtetet, kanë ndikuar në ngadalësimin e dinamikave të dialogut. Ne jemi dëshmitarë kur vitin e kaluar Serbia përsëri pati zgjedhje nacionale dhe diku nga fillimi i vitit deri në fund të gushtit kishim një lloj bllokade në dialog", tha Tahiri.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruskel.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruskel.

Ministrja Tahiri tha se veprimet dhe deklaratat nxitëse nga Serbia mund të shihen si 'retorika destabilizuese’ dhe si pjesë e agjendave të reja dhe ambicieve gjeo-politike që Rusia po i shfaq ndaj Ballkanit. Sipas saj “Serbia shpesh i kthehet mentalitetit të vjetër”.

"[Serbia] në vend se të bëhet një faktor jo-stabiliteti duhet të ndryshojë dhe të bëhet një faktor stabiliteti, të ketë prirje dhe sjellje evropiane. Alternativat e tjera që është duke i përdorur janë në dëm të vetë Serbisë. Dhe unë pres se Serbia tani e tutje ta ulë zërin, sepse edhe administrata e re amerikane e ka bërë të qartë politikën e vet të jashtme në raport me Ballkanin dhe Kosovën, ku është thënë qartë se vazhdon mbështetja në raport me Ballkanin dhe Kosovën", tha Tahiri.

Zgjedhjet presidenciale serbe pritet që të përfshijnë edhe Kosovën me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë të Kosovës në to, ka thënë për Radion Evropa e Lirë deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq.

Ai tha se zgjedhjet në Serbi ‘natyrisht se kanë ndikim në Kosovë pasi ato do të organizohen edhe në vendet e banuara me popullatë serbe në Kosovë’, por nënvizoi se pavarësisht ‘fjalorit të përdorur në fushatën zgjedhore nuk do të ndryshojë raportet në bisedimet që zhvillohen në Bruksel, por do të mund të ndikojë në një shtyrje të shkurtër të tyre deri në përfundim të zgjedhjeve”.

"Ngadalësimi i dialogut mund të ndodh, por ai ngadalësim nuk do të jetë për një kohë të gjatë. Eventualisht mund të shtyhet, në një formë, për një periudhë relativisht të shkurtër. Përndryshe nuk pritet shtyrje e gjatë", tha ai.

Zgjedhjet në Serbi, thonë analistët në Kosovë, mund të ndikojnë në dinamikën e dialogut që po zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së dhe mund të ‘ngrisin tensione të caktuara në Kosovë’.

Driton Selmanaj njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se nga ajo që është parë edhe me herët Kosova ka qenë përherë një ‘kartë e fushatave zgjedhore në Serbi’.

"Serbia nuk po arrin që të ketë një kartë tjetër në procesin e kërkimit të votave dhe në procesin e zgjedhjeve. Karta e vetme vazhdon të mbetet Kosova ose tematika që përfshinë serbët e Kosovës në territorin e Kosovës si më e rëndësishmja dhe më interesantja për qytetarin e Serbisë dhe më pas kjo mund të përkthehet në vota", tha Selmanaj.

Selmanaj tha se veprimet e javëve të fundit “përfshirë ato me trenin dhe fletë-arrestimet ndërkombëtare e kanë rënduar dialogun e Kosovës me Serbinë”.

"Ajo çka është e rëndësishme, duhet të masim efektet dhe veprimet konkrete që Serbia i bën në raport me Kosovën. Sjelljet e fundit siç ishin me murin, me trenin dhe me fletarrestimet ndërkombëtare janë ato të cilat e pengojnë ose ngarkojnë shumë dialogun", tha Selmanaj.

Prishtina dhe Beogradi kanë hyrë në një proces të dialogut që prej vitit 2011 duke arritur një varg marrëveshjesh përfshirë edhe Marrëveshjen kornizë të Prillit të vitit 2013, që u pa si e arritura më e madhe e dialogut.

Dialogu i hapi Serbisë negociatat për anëtarësim në BE ndërkohë që Kosovës i siguroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG