Ndërlidhjet

Zoran Zaev optimist për marrëveshje me BDI-në


Kryetari i Lidhjes social-demokrate, Zoran Zaev është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjes me BDI-në e Ali Ahmetit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, dhe rrjedhimisht formimin e Qeverisë së re mes partisë së tij, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët.

“Disa çështje i kemi pastruar me zotin Ahmeti. Shpresoj se edhe ekipet tona do të punojnë në frymën e bisedës tonë që të arrijnë zgjidhje në kudër të Kushtetutës, të gjejmë zgjidhje që do të ketë zbatim praktik dhe që do të lehtësojë jetën e qytetarët të etnitetit shqiptar...zgjidhja për përdorimin e gjuhëve do të jetë në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar lideri social-demokrat pas takimit në Tetovë me Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

Zaev u deklarua optimist se do të marrë mandatin për të formuar Qeverinë, megjithatë nuk deklaroi nëse ka marrë garancë nga kreu i BDI-së për mbështetje me nënshkrimet e deputetëve të partisë së Ahmetit.

Zaev do të mandatohet vetëm nëse dy partitë arrijnë marrëveshje koalicionimi së bashku edhe me partinë tjeter Aleanca për Shqiptarët, pa të cilën BDI dhe LSDM nuk kanë 61 deputetë, aq sa duhet për tu miratuar Qeveria e re.

Kreu social-demokrat tha gjithashtu se palët kanë rënë dakord për formimin e një organi që në shpërndarjen e buxhetit do të kujdeset për zhvillimin e komunave më të varfëra dhe vendeve rurale me zhvillim më të vogël.

Para takimit Ahmet- Zaev është zhvilluar një takim mes LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët, por edhe nga ky takim nuk janë dhënë detaje. Bisedimet mes tyre kanë nisur pas dështimit të VMRO-së së Nikolla Gruevskit për formimin e Qeverisë së re. BDI-ja në koalicion me VMRO-në ka qenë në dhjetë vitet e fundit.

VMRO-ja ka kundërshtuar bisedimet mes BDI-së dhe LSDM-së duke bërë thirrje për formimin e Qeverisë nga partitë fituese në bllokun maqedonas dhe shqiptar, që nënkupton mes partisë së tij VMRO dhe BDI-së.

VMRO në zgjedhjet e 11 dhjetorit ka fituar 51 deputetë, LSDM-ja 49, BDI-ja 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për Shiptarët 3 dhe PDSH-ja 2 deputetë. (REL)

XS
SM
MD
LG