Ndërlidhjet

Dy raste të reja të prekura me virusin HIV/AIDS, janë diagnostikuar gjatë këtij viti në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Aktualisht, janë 28 persona të prekur nga ky virus, të cilët marrin terapi në Klinikën Infektive. Ndërkaq nga viti 1986, kur ishte identifikuar rasti i parë, sipas shënimeve të Klinikës, me virusin HIV/AIDS, janë infektuar 100 persona.

Murat Mehmeti, infektolog, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se 28 persona aktualisht marrin terapi në Klinikën Infektive, pa i përfshirë edhe dy rastet e reja.

“Terapinë që e përdorim për pacientë, e disponojmë në Klinikën Infektive, dhe jemi të furnizuar mirë deri në fund të vitit 2017. Por, sa u përket analizave të gjakut, kemi problem, pasi marrin kohë 3 deri në 6 muaj. Kjo për arsye se mostrat dërgohen jashtë Kosovës”.

“Por, kohëve të fundit kemi pasur telashe pasi është vonuar dërgimi i mostrave. Dërgimin e tyre e organizon Ministria e Shëndetësisë. Pasi t'i marrim analizat, ne e dimë saktë gjendjen e këtyre të prekurve se si qëndrojnë me situatën epidemiologjike të tyre”, ka thënë Mehmeti.

Vetëdija për t’i bërë vullnetarisht testet për virusin HIV, sipas Mehmetit është rritur. Por, ai beson se ende ka një lloj stigmatizimi të personave që jetojnë me këtë virus në Kosovë. Andaj, siç thotë ai, numri i personave që jetojnë me HIV/AIDS mund të jetë më i madh sesa ato që i paraqesin statistikat.

Në anën tjetër, Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Asociacionit Kosovar të Personave që jetojnë me HIV në Kosovë, ka thënë se terapia për personat që jetojnë me HIV nuk është telashe, pasi furnizimi është i mirë dhe i rregullt, por analizat laboratorike po shfaqin vështirësi.

“Problem kemi me analizat e gjakut. Në nëntor të vitit 2015 u janë bërë analizat këtyre personave dhe më nuk kanë pasur mundësi t’i kryejnë për shkak të mungesës së reagencave në Kosovë. E për t'i dërguar jashtë vendit po merr kohë”.

Ndërkohë, Izet Sadiku, zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se diagnostikimi i virusit HIV mund të kryhet në Kosovë, derisa përcjellja e gjendjes së pacientëve përmes mostrave është dërguar jashtë Kosovës.

Por, ai ka deklaruar se shumë shpejtë edhe përcjellja e gjendjes së pacientëve përmes laboratorit do të mund të kryhet në Kosovë.

“Sa u përket analizave, së bashku me Fondin Global, jemi në fazën përfundimtare, që përveç diagnostikimit në laborator të sigurojmë reagenca, edhe për përcjelljen e gjendjes së pacientëve. Aparatura ekziston, dhe ka dy javë që është zgjedhur kompania fituese. Unë shpresoj se shumë shpejt do të mundësojmë në Kosovë edhe këtë çështje”, ka thënë Sadiku.

Ndërkaq, Alban Gjonbalaj përmend edhe një problematikë tjetër. Atë të furnizimit me terapi për fëmijët e prekur me virusin HIV.

‘’Sa u përket fëmijëve të prekur me HIV, janë dy prej tyre në Kosovë. Po rata nuk e marrin terapinë bë Kosovë pasi që mungon. Ata e marrin jashtë vendit terapinë,’’ ka thënë Gjonbalaj.

Kurse Izet Sadiku thotë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e sigurimit të terapisë edhe për moshat pediatrike.

‘’Jemi të obliguar të sigurojmë terapi për moshat pediatrike. Ndonëse tash për tash nuk ka nevojë për pacientë fëmijë, ne do të sigurojmë disa doza që në rast të shfaqjes së ndonjë rasti të kemi terapi,’’ ka thënë Sadiku.

Sidoqoftë një nga donacionet e mëdha që ka mbështetur sistemin shëndetësor në Kosovë ndër vite është edhe Fondi Global, ku fokusi ka qenë në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, dhe tuberkuloz.

Për këto sëmundje janë ndarë çdo pesë vjet nga 5 milionë euro. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG