Ndërlidhjet

Termocentrali i ri drejt finalizimit, Banka Botërore kërkon përmbushjen e kushteve


Termocentrali në Obiliq

Autoritetet e Kosovës thonë të kenë përkrahjen e fuqishme të Bankës Botërore për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, dhe kanë paralajmëruar se projekti ndodhet në fazën përfundimtare të finalizimit.

Deklarimet pasuan letrën e Banka Botërore dërguar ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, me konfirmimin se ‘përkrahja në parim është e kushtëzuar me përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme teknike, ekonomike, mjedisore, sociale, ligjore dhe financiare të Grupit të Bankës Botërore’.

“Duhet të kompletohen disa detyra përgatitore, sekuenciale, prioritare, që kërkojnë përpjekje të fokusuara dhe të koordinuara, disa nga ekipi i Bankës Botërore e disa nga Qeveria e Kosovës me përkrahje të partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në letrën e Cyril Muller, zëvendës president Rajoni për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore.

Por, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i tha Radios Evropa e Lirë, se ‘procesi i gjatë negociues me kompaninë amerikane Contour Global dhe Bankën Botërore, ka rezultuar me përkrahjen Bankës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”.

“Tani nuk e kemi asnjë pengesë. Përkundrazi, krerët më të lartë të Bankës Botërore janë në favor të ndërtimit të termocentralit dhe në përkrahje të strategjisë së energjisë pothuajse pa asnjë rezervë në momentin që ne i përmbahemi të gjitha gjërave që ne jemi dakorduar, por edhe segmentit mjedisor dhe sociale që lidhen me projektin”, ka bërë të ditur Stavileci.

Banka Botërore në letrën e bërë publike thotë se ‘do të përkrah gjenerim të ri të energjisë nga thëngjilli vetëm në rrethana jashtëzakonisht të rralla kur thëngjilli është opsioni i vetëm i përballueshëm për të përmbushur nevojat energjetike të vendit’.

“Politikat e Bankës kërkojnë që miniera e cila do të furnizojë linjit për Projektin e Centralit Energjetik ‘Kosova e Re’, të konsiderohet një kapacitet i asociuar dhe kjo do të duhet të përmbush të gjitha politikat mjedisore dhe sociale të Bankës që njihen si standard global për mbrojtjen e njerëzve të ndikuar nga projektet”, thuhet në letrën e Muller.

Por ministri Stavileci ka theksuar se gjërat të cilat kanë qenë të shkruar në këtë letër janë rezultat i bisedave të shumta dhe dakordimit të arritur për ta përkrahur projektin e termocentralit “Kosova e re”, duke i vënë në radhë të parë edhe çështjet sociale edhe ambientale.

Nënshkrimi i marrëveshjes komerciale, që është faza e parafundit me investitorin Contour Global, pritet të realizohet në muajin mars të këtij viti, ka thënë ministri Stavileci.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile vazhdojnë ta kundërshtojnë ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, duke e quajtur atë si një projekt mjaft problematik jo vetëm për mjedisin, por edhe për qytetarët.

Rinora Gojani, menaxhere e programit në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë për Energji (KOSID), thotë për Radion Evropa e Lirë se Banka Botërore është ende larg marrjes së vendimit që t’i jep një mbështetje Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e termocentralit.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës për pesë vjet nuk ka arritur të përmbush asnjërin nga kriteret të cilat i kërkon Banka Botërore në rastin e ndërtimit të një termocentrali të ri.

“Prej kur ka filluar si ide ndërtimi i një termocentrali ka qenë gjë jo e mirë, pasi që është një projekt mjaft problematik, jo vetëm për mjedisin por edhe për qytetarët. Por që të merret mbështetja e Bankës Botërore për këtë projekt, janë disa kushte që duhet bëhen, siç është thënë studimet e opsioneve, që të shikohet se a ka Kosova mundësi të tjera, apo qymyri dhe një termocentral i ri, është i vetmi opsion dhe gjëja tjetër është vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe në aspektin sociale”, thekson ajo.

Termocentrali “ Kosova e Re” është paraparë të ndërtohet afër termocentralit aktual “Kosova B”, me një kapacitet gjenerues prej 450 megavatë. Vlera financiare e këtij projekti, pritet të arrijë në rreth një miliard euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG