Një anëtare republikane e Komitetit të Inteligjencës në Senatin e Shteteve të Bashkuara tha se është e hapur ndaj shfrytëzimit të urdhrit të shkruar ligjor, për të hetuar deklarimet tatimore të presidentit Donald Trump, për lidhje të mundshme me Rusinë. Me këtë urdhër, Trump do të duhej të dëshmonte para gjykatës ose ndonjë tjetër organi.
Susan Collins, në një intervistë për radion publike, tha po ashtu se shumë anëtarë të komitetit, i cili udhëheq hetimet e Kongresit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, do të kërkojnë formalisht që këshilltari i larguar për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, të dëshmojë përpara panelit.
“Të gjithë jemi të vendosur për të marrë përgjigje”, tha Collins.
Ajo shtoi se republikanët mbajnë vetëm një ulëse shumicë në Komitetin e Inteligjencës. Vota e saj për thirrjen për dëshmi mund të jetë vendimtare, pasi demokratët, për muaj të tërë, i kanë bërë thirrje Trumpit të publikojë taksat.
Refuzimi i Trumpit është një thyerje e traditës së presidentëve amerikanë. Ai ka thënë se do t’i publikonte ato pas përfundimit të një auditmi nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme.
Përdorimi i thirrjes për dëshmi, për të siguruar qasje në deklarimet tatimore, do të ishte një hap më agresiv, që republikanët në Kongres, deri më tash, nuk kanë qenë të gatshëm ta bëjnë në hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhje.
Javën e kaluar, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë bllokuar një përpjekje të demokratëve për të përdorur një ligj të paqartë, për sigurimin e deklarimeve tatimore nga Thesari amerikan. Demokratët e kanë përshtatur këtë çështje si problem për sigurinë kombëtare, duke vënë në dyshim nëse Trump ka investime në Rusi.
Duke thënë se Komiteti i Inteligjencës do të kërkojë dëshminë e Flynnit, Collins nuk qartësoi nëse paraqitja e tij do të ishte publike apo prapa dyerve të mbyllura.
Flynn ka dhënë dorëheqje javën e kaluar, pas raporteve se ai ka keqinformuar nënpresidentin Mike Pence, në lidhje me disa biseda telefonike që ka pasur me ambasadorin e Rusisë në SHBA, Sergei Kislyak.
Collins tha se komiteti është duke bërë hetime të gjera në lidhje me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhje dhe se është ende herët të spekulohen rezultatet.
Drejtori i FBI-së, James Comey, më 17 shkurt, ka njoftuar komitetin për hetimet e kësaj çështjeje nga agjencia e tij.
Rusia dyshohet se ka pirateruar kompjuterë të Partisë Demokratike në SHBA dhe të tjerë, në favor të zgjedhjes së Trumpit president kundrejt rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.
Facebook Forum