Ndërlidhjet

SHBA: Pak kërcënime terrori nga 7 vendet në urdhrin e ndalesës


Presidenti Donald Trump
Presidenti Donald Trump

Agjencia Associated Press (AP) ka raportuar se analistët e sigurisë së Shteteve të Bashkuara, nuk kanë gjetur kërcënim të qartë terrori nga shtetasit e shtatë vendeve me popullatë shumicë myslimane, që janë në shënjestër të ndalesës së përkohshme të udhëtimit të nënshkruar nga presidenti Donald Trump.

Sipas një propozim dokumenti të siguruar nga AP-ja, analistët e njësisë së inteligjencës së Departamentit të sigurisë së brendshme, kanë konkluduar se shtetësia e vendeve të përfshira në ndalesën e zotit Trump, është një “indikator vështirë i besueshëm” për potencialin e një personi për të kryer sulm terrorist dhe se pak njerëz nga këto vende kanë kryer sulme ose kanë qenë të involvuar në aktivitete të ndërlidhura me terrorizëm në Shtetet e Bashkuara.

Shtetet që janë përfshirë në ndalesën e përkohshme të udhëtimit në Shtetet e Bashkuara janë Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Zoti Trump i ka cituar shqetësimet për terrorizëm si arsye të tij për nënshkrimin e ndalesës gjithëpërfshirëse të përkohshme për hyrje në Shtetet e Bashkuara, më 27 janar, pra një javë pasi u inaugurua në postin e presidentit. Me këtë urdhër është ndalur edhe programi për refugjatë i Shteteve të Bashkuara.

Një gjyqtar qarku në shtetin Uashington, në fillim të këtij muaji, e ka bllokuar zbatimin e këtij urdhri të qeverisë.

Dyshimet lidhur me atë se nëse urdhri i presidentit Trump në mënyrë jopërkatëse i ka marrë në shënjestër vendet që janë burim i kërcënimeve terroriste për Shtetet e Bashkuara, ishte çështja madhore që është trajtuar nga një gjykatë e apelit në San Francisko. Kjo gjykatë, megjithatë, e ka mbështetur bllokimin e urdhrit.

Agjencia Associated Press ka raportuar se një zëdhënëse e Departamentit të sigurisë së brendshme nuk e ka kontestuar autenticitetin e propozim dokumentit, por tha se ai nuk është final, pra nuk paraqet rishqyrtim gjithëpërfshirës të informacioneve nga të gjitha burimet e inteligjencës së qeverisë.

“Dokumenti të cilit i referoheni ishte koment nga një burim i vetëm i inteligjencës, në krahasim me një dokument zyrtar të fuqishëm, me burime gjithpërfshirëse të agjncive”, i tha AP-së zëdhënësja, Gillian Christensen, dhe ka shtuar se “raporti nuk përfshin të dhëna nga burimet e tjera të komunitetit të inteligjencës dhe është jokomplet”.

AP ka raportuar se analiza trifaqëshe, të cilën konsiderohet se presidenti Trump e kishte kërkuar pasi ishte bllokuar urdhri nga gjykatat, ishte e bazuar në informacionet në dispozicion publik, siç janë publikimet për gazetarë të rasteve të terrorizmit nga ana e Departamentit të drejtësisë, pastaj statistikat për viza të Departamentit të shtetit dhe raporteve të vendeve për terrorizmin dhe Vlerësimi për kërcënimin botëror për vitin 2016, nga komuniteti i Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.

AP-ja tha se analiza e sfidon pretendimin bazik të presidentit Trump, se Shtetet e Bashkuara janë të rrezikuara nga vizitorët e 7 vendeve që janë përfshirë në urdhrin e tij.

Prej 82 personave për të cilët qeveria amerikane ishte e bindur se ishin të inspiruar nga grupet e jashtme terroriste për të kryer ose për tu përpjekur për të kryer sulme në Shtetet e Bashkuara, në dokument theksohet se pak më tepër se gjysma ishin shtetas amerikanë të lindur në Shtetet e Bashkuara.

Të tjerët ishin nga 26 vende, përfshirë Pakistanin, Somalinë, Bangladeshin, Kubën, Etiopinë, Irakun dhe Uzbekistanin.

Nga një person ishin nga Irani, Sudani dhe Jemeni, ndërsa nga Siria nuk ishte asnjë individ, derisa ky vend ishte më i godituri në urdhrin e presidentit Trump, ku përfshihet një ndalesë e pakufizuar për pranimin e refugjatëve sirianë.

Në analizë, po ashtu, është gjetur se organizatat terroriste në Iran, Libi, Somali dhe Sudan, janë të fokusuara në aspekt rajonal, derisa grupet në Irak, Siri dhe Jemen, paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është në proces të hartimit të urdhrit zëvendësues, i cili do të publikohet javën e ardhshme, por AP-ja raporton se edhe në urdhrin e korrigjuar pritet që në shënjestër të jenë shtatë vendet e njejta, sikur në urdhrin e parë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG