Ndërlidhjet

Trump: Rritje historike në shpenzimet e mbrojtjes

  • RFE /RL

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti, Donald Trump, do të kërkojë nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, për t’i rritur shepnzimet e mbrojtjes për 54 miliardë dollarë, gjatë vitit të ardhshëm dhe për ta shkurtuar po këtë shumë nga shpenzimet jombrojtëse, përfshirë reduktim të madh për ndihmat e jashtme.

Gjatë një fjalimi të djeshëm para guvernatorëve të shteteve në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump tha se propozimi i tij i parë për buxhet në Kongres e përfshinë “një rritje historike në shpenzimet e mbrojtjes për rindërtimin e ushtrisë së dobësuar” të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump e ka përshkruar propozim-buxhetin e tij, me gjithsej 603 miliardë dollarë për shpenzimet e mbrojtjes, si “ngjarje madhore dhe mesazh për botën në këto kohë të rrezikshme, për forcën, sigurinë dhe vendosmërinë e Amerikës”.

Por, kryesuesi i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Mac Thornberry, tha se “propozimi” i Trumpit ishte i ulët.

Republikani Thornberry tha se buxheti për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara ishte ulur për 20% gjatë administratës së ish-presidentit, Barack Obama.

Ai tha se Kongresi “duhet dhe mund të bëjë më tepër” se sa do të lejonte buxheti prej 603 miliardë dollarëve për mbrojtje për vitin 2018.

Zyrtarët e afërt me planin e presidentit Trump thanë se shkurtimet në Departamentin e shtetit, Agjencinë e mbrojtjes së ambientit dhe programet e tjera jombrojtëse, pjesërisht do ta financojnë rritjen për mbrojtje, që është në shkallën 9%.

Agjencia Reuters e ka cituar një zyrtar i cili ka thënë se buxheti i propozuar nga ana e presidentit Trump, përfshinë rritje të fondeve për anije dhe aeroplanë ushtarakë dhe për të krijuar “prani më të fuqishme në ujërat kryesore ndërkombëtare dhe në pikat e rrezikshme”.

Një tjetër zyrtar tha se buxheti i Departamentit të shtetit mund të shkurtohet për më tepër se 30%, dhe kjo do të çonte në riorganizim madhor të deparatemtit dhe elimin të disa programeve.

Donald Trump ka thënë se synon rritje të mbrojtjes raketore dhe kapaciteteve kibernetike.

Gjatë një interviste për agjencinë Reuters javën e kaluar, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara “kanë mbetur prapa në kapacitetet e armatimit atomik” dhe ka shprehur përkushtim për të siguruar se Amerika “do të lëviz” në nivelin më të lartë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG