Ndërlidhjet

Pas kritikave, Jeff Sessions tërhiqet nga hetimet për fushatën zgjedhore


Jeff Sessions gjatë konferencës së djeshme për gazetarë në Uashignton

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, nën kritikat në rritje nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë, për shkak të kontakteve të tij me ambasadorin rus gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, tha se do të tërhiqet nga çfarëdo hetimi që ndërlidhet me fushatën zgjedhore të vitit të kaluar.

“Kam vendosur ta përjashtoj veten nga çfarëdo hetimi ekzistues apo të ardhshëm, lidhur me secilën çështje, e cila në çfarëdo mënyre ndërlidhet me fushatën për president të Shteteve të Bashkuara”, tha Jeff Sessions, në konferencën për gazetarë në Uashington.

Disa orë pas këtij vendimi, presidenti amerikan, Donald Trump, vlerësoi se kërkesat e anëtarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që Sessions të tërhiqet nga hetimet ose të paraqes dorëheqje, janë “totalisht gjueti shtrigash”.

Trump tha se Sessions “nuk ka thënë asgjë të gabueshme” kur ka dështuar t’i përmend takimet e tij me ambasadorin e Rusisë, Sergei Kislyak, gjatë dëgjimit konfirmues në muajin janar për emërimin e tij në postin e prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara.

“Jeff Sessions është njeri i sinqertë…ai ka mund ta thotë përgjigjen e tij më saktësisht, por qartas kjo nuk ishte e qëllimshme”, tha Trump nëpërmjet një kumtese dhe i ka akuzuar demokratët për zmadhimin e kësaj çështjeje.

Por, këtë deklaratë zoti Sessions e bëri pas rritjes së numrit të ligjvënësve nga të dy partitë, që thanë se Sessions duhet të tërhiqet nga hetimet për dyshimet për ndërhyrjen ruse në fushatën zgjedhore në vitin 2016.

Njëherësh, demokratët në Dhomën Përfaqësuese dhe në Senat, hapur kanë kërkuar dorëheqjen e zotit Sessions, duke e akuzuar atë se ka gënjyer nën betim gjatë dëgjimit konfirmues në Senat.

Zoti Sessions tha se këtë vendim e ka marrë pas konsultimit me zyrtarë të Departamentit të drejtësisë për “disa javë” nëse do të tërhiqej nga çfarëdo vendimesh potenciale të ndërlidhura me hetimin për fushatën presidenciale të vitit 2016.

Lidhur me këto çështje, në vend të tij, do të merret zëvendësprokurori i përgjithshëm, Dana Boente.

Anëtarët e lartë demokratë në Dhomën Përfaqësuese dhe Senat, përfshirë lideren demokrate në Dhomën Përfaqësuese, Nensi Pelosi, kanë thënë se tërheqja nuk mjafton dhe hapur kanë kërkuar dorëheqjen e zotit Sessions, duke e akuzuar se ka gënjyer nën betim gjatë dëgjimit të tij konfirmues në Senat.

“Fakti se prokurori i përgjithshëm, që është polici kryesor në vendin tonë, ka gënjyer pwrpara popullit amerikan nën betim, paraqet bazë për të që të paraqes dorëheqje”, tha Nensi Pelosi.

Gjatë dëgjimit të tij konfirmues, Jeff Sessions tha se nuk ka qenë në kontakt me askwnd nga qeveria e Rusisë, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016 dhe se nuk ka dijeni për asnjë anëtar të fushatës së Trumpit, që ka pasur kontakte me rusët.

Gjatë konferencës për shtyp ai ka shpjeguar se takimet e tij me ambasadorin rus i kishte mbajtur si senator, e jo si këshilltar i fushatës Trump.

Demokratët në Komitetin e drejtësisë të Dhomës Përfaqësuese i kanë dërguar letër Departamentit të drejtësisë dhe agjencisë FBI, duke kërkuar “hetim të menjëhershëm penal lidhur me këto deklarata, që potencialisht mund të implikojnë një numër të legjislacioneve penale, përfshirë gënjeshtrën ndaj Kongresit dhe shkelje të betimit”.

Jeff Sessions, që ishte këshilltar i fushatës së Donald Trumpit, i ka hedhur poshtë akuzat për keqbërje, duke thënë se ai nuk ka diskutuar për fushatën zgjedhore me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, gjatë takimeve të tij.

“Kurrë nuk kam pasur takime me operativistët rusë ose ndërmjetësuesit rusë për fushatën Trump. Prandaj ideja se isha pjesë e citatit ‘shkëmbim i vazhdueshëm i informacioneve gjatë fushatës ndërmjet përfaqësuesve të Trumpit dhe ndërmjetësuesve për qeverinë ruse’, është totalisht i falsifikuar”, tha Jeff Sessions.

Në janar të këtij viti, agjencitë e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara e publikuan një raport ku ata vlerësuan se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte urdhëruar “fushatë ndikuese” me synimin që të shkatërrohet besimi në sistemin zgjedhor amerikan dhe të diskreditohej kandidatja demokrate, Hillary Clinton.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG