Ndërlidhjet

Forcat irakiane nisin ofensivë të re në Mosulin Perëndimor


Forcat irakiane në Mosul
Forcat irakiane në Mosul

Forcat irakiane kanë sulmuar katër zona të kontrolluara nga grupi militant Shteti Islamik, në Mosul. Këto sulme janë në kuadër të ofensivës së fundit të forcave irakiane për t’i larguar nga qyteti Mosul, militantët e IS-it.

Komanda e Operacioneve të Përbashkëta të Irakut, ka thënë më 5 mars se forcat e Divizionit për reagim të shpejtë kanë sulmuar në lagjet Al-Dindan dhe Al-Dawasa, përderisa forcat e shërbimit anti-terror kanë sulmuar lagjet al-Sumood dhe Tal al-Ruman.

Një komandant i forcave të Irakut ka thënë se trupat janë duke lëvizur drejt ndërtesës së Qeverisë lokale në pjesën perëndimore të Mosulit, që është nën kontrollin e IS-it, në mes të përleshjeve “më të rënda” që prej se ofensiva e re nisi dy javë më parë.

Gjeneral-Major, Haider al-Maturi i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Press, se kanë shkatërruar para se të arrinin te trupat irakiane të paktën gjashtë sulme vetëvrasëse me makinë-bombë nga militantët e IS-it.

Trupat irakiane kanë nisur një ofensivë të re në orët e para të 5 marsit në lagjen al-Dawasa. Ata janë rreth 500 metra larg ndërtesës së qeverisë, ka thënë al-Maturi.

Selia qendrore e guvernatorit të Nineveh, dhe ndërtesat e tjera qeveritare gjenden në lagjen Al-Dawasa. Mosuli është kryeqytet i provincës Nineveh.

Mosuli Perëndimor është qendra më e populluar urbane që akoma është nën kontrollin e militantëve të IS-it.

Ushtria irakiane, gjithashtu, ka përparuar përmes shkretëtirës që rrethon qytetit.

Televizioni libanez, "Al-Mayadeen" ka publikuar pamje, në të cilat shfaqet tym i zi që mbulon qiellin në këtë zonë, nga luftimet e ashpra.

Forcat irakiane që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur ofensivën e madhe më 19 shkurt, me qëllim që t’i largojnë militantët nga pjesa perëndimore e qytetit, pothuajse një muaj pasi larguan militantët nga Mosuli Lindor.

Pjesa më e madhe e Mosulit Perëndimor është ende nën kontrollin e IS-it, pavarësisht se forcat irakiane kanë fituar terren në jugperëndim të qytetit.

Mosuli ra nën kontrollin e militantëve të Shtetit Islamik në verën e vitit 2014. Lideri i këtij grupi terrorist, Abu Bakr al-Baghdadi, nga një xhami në Mosul, e shpalli këtë qytet, kryeqytetin e “kalifatit” në Irak.

Të paktën 45,000 njerëz janë zhvendosur nga Mosuli Perëndimor nga luftimet e fundit, ka thënë më 5 mars Organizata Ndërkombëtare për Migrim.

Organizata e OKB-së ka thënë se 45,714 persona ose 7,619 familje janë larguar nga Mosuli Perëndimor që prej 25 shkurtit, vetëm disa ditë pasi forcat irakiane, të mbështetura nga SHBA-ja, nisën ofensivën.

Më shumë se 200,000 njerëz, aktualisht, janë të zhvendosur si rezultat i operacioneve për rimarrjen e kontrollit të Mosulit, ndërkaq shumë të tjerë janë larguar dhe më pas janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG