Ndërlidhjet

Çfarë përmban urdhri i ri i Trumpit për udhëtarët e huaj?

  • RFE /RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi të hënën një urdhër të rishikuar ekzekutiv, i cili u ndalon hyrjen përkohësisht në SHBA qytetarëve të gjashtë vendeve me shumicë myslimane.

Urdhri fillestar i Trumpit për urdhëtimin është bllokuar nga gjykatës federalë.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se urdhri i ri ngrin lëshimin e vizave të reja për qytetarët e Iranit, Sirisë, Sudanit, Libisë, Somalisë dhe Jemenit për 90 ditë.

Qytetarët nga këto gjashtë vende që kanë viza të vlefshme, lejohen të hyjnë në SHBA.

Urdhri i rishikuar, i cili hyn në fuqi nga data 16 mars, po ashtu pezullon hyrjen në SHBA për të gjithë refugjatët, për 120 ditë.

Urdhri fillestar, i lëshuar më 27 janar, u ka ndaluar hyrjen përkohësisht qytetarëve të gjashtë vendeve të njëjta, plus Irakut.

Urdhri i ri po ashu nuk prek banorët e përhershëm amerikanë, qofshin ata edhe shtetas të gjashtë vendeve në listë.

Trump këmbëngul se kufizimi në udhëtim është i nevojshëm për sigurinë kombëtare, ndërsa kritikët e akuzojnë atë për diskriminim fetar – akuzë të cilën Shtëpia e Bardhë e mohon.

Ndihmësja e lartë e Trumpit, Kellyanne Conway, tha se urdhri ekzektiv është pjesë “e një jave shumë të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë, pasi presidenti do të vazhdojë të punojë, së bashku me Kongresin, në shumë pjesë të agjendës së tij legjislative dhe ekzekutive”.

Conway tha se urdhri i rishikuar për udhëtimin e bën “edhe më të qartë” se ndalesa përjashton “banorët e përhershëm dhe të ligjshëm” të Shteteve të Bashkuara.

Urdhri i fillestar i Trumpit për migrimin, i lëshuar më 27 janar, por i bllokuar më pas nga gjykatësit federalë, ka shkaktuar kaos në aeroporte dhe protesta.
Urdhri i fillestar i Trumpit për migrimin, i lëshuar më 27 janar, por i bllokuar më pas nga gjykatësit federalë, ka shkaktuar kaos në aeroporte dhe protesta.

Iraku e mirëpriti largimin e tij nga urdhri, duke e cilësuar si “mesazh pozitiv” në kohën kur forcat amerikane dhe irakiane janë duke luftuar militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Agjencitë e lajmeve The Associated Press dhe Reuters raportuan se Shtëpia e Bardhë e ka hequr Irakun nga lista pas presionit nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni, të cilët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit më të ngushtë midis dy vendeve në luftimin e militantëve islamikë.

Zëdhënësi i Qeverisë irakiane, Saad al-Hadithi, tha se rishikimi i urdhrit tregon se Iraku dhe SHBA-ja kanë “partneritet të vërtetë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Jeff Sessions, dhe sekretari për Siguri Kombëtare, John Kelly, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, për të shpjeguar urdhrin e ri.

Tillerson tha se urdhri ka për synim “të eliminojë dobësitë që terroristët radikalë islamikë mund dhe do t’i shfrytëzojnë për qëllime shkatërruese”.

Duke u thirrur në FBI, Sessions tha se mbi 300 njerëz që kanë hyrë në SHBA si refugjatë, janë nën hetime për vepra të mundshme që lidhen me terrorizmin.

“Si çdo vend tjetër, SHBA ka të drejtë të kontrollojë se kush hyn në vendin tonë dhe t’i mbajë jashtë ata që do të na dëmtonin”, tha ai.

Kelly tha se udhëtimi i parregulluar dhe i paverifikuar e ka vënë sigurinë kombëtare në rrezik.

“Armiqtë tanë do të shfrytëzojnë liritë dhe bujarinë tonë për të na dëmtuar”, tha Kelly.

Asnjëri prej sekretarëve të kabinetit nuk mori pyetje nga gazetarët në konferencën për media.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG