Ndërlidhjet

Referendumi i Erdoganit shkakton tension në Evropë


"Të mësosh nga Erdogan, do të thotë të mësosh se si të fitosh" - këtë mesazh mban një mbështetës turk i Erdoganit në Gjermani.
"Të mësosh nga Erdogan, do të thotë të mësosh se si të fitosh" - këtë mesazh mban një mbështetës turk i Erdoganit në Gjermani.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se “dallimet e thella” kanë tejkaluar shumë interesa të përbashkët të Gjermanisë dhe Turqisë dhe bëri thirrje për ndryshimin e kësaj.

Në një adresim para Bundestagut, Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman, Merkel tha se deklarata e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, që e akuzon Berlinin për “praktika naziste”, nuk mund të tolerohet.

Ajo tha se kjo deklaratë është “shumë e gabuar” dhe “e pajustifikueshme”.

E gjithë kjo është shumë e trishtë, sepse krahasimet me socializmin kombëtar gjithmonë çojnë në diçka të mjerë: margjinalizim të krimeve të socializmit kombëtar kundër njerëzimit. Këtë nuk do ta pranojmë në asnjë rast”, tha Merkel.

Ajo u zotua se “do të punojë për marrëdhëniet gjermano-turke”, por në bazë të, siç tha, “vlerave tona”.

Erdogan i bëri komentet javën e kaluar, pasi disa qytete gjermane kanë anuluar tubimet, në të cilat zyrtarët turq kanë planifikuar të mbledhin mbështetje për një referendum, që mund t’i sigurojë Erdoganit fuqi të reja kushtetuese.

Rreth 1.4 milion turq që jetojnë në Gjermani, kanë të drejtë vote në referendumin e 16 prillit në Turqi.

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, takoi të mërkurën në Berlin homologun turk, Mevlut Cavusoglu, të cilin e paralajmëroi se krahasimet me nazistët, në çdo mosmarrëveshje, janë “vijë e kuqe që nuk mund të kalohet”.

Mendoj se të dyja vendet kanë përgjegjësi për disa limite që nuk duhen kaluar. Ato përfshijnë krahasimin (v.j. e Gjermanisë së sotme) me Gjermaninë naziste”, tha Gabriel.

Cavusoglu, këtë javë, akuzoi autoritetet gjermane për “presion sistematik” mbi turqit në Gjermani, duke thënë se Berlini po ndërhyn në favor të votimit me “jo” në referendum. Ai tha se Gjermania nuk duhet t’i japë Turqisë “mësime për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

Përpjekjet e Ankarasë për të rritur mbështetjen për referendum në mesin e turqve që jetojnë në Bashkimin Evropian, kanë shkaktuar tension edhe në Holandë. Një tubim në Roterdam u anulua më 8 mars.

Zyrtarët në Cyrih po ashtu i kërkuan Qeverisë zvicerane të anulojë vizitën e planifikuar të Cavusoglut më 12 mars, duke u thirrur në shqetësimet për sigurinë.

Edhe Qeveria e Austrisë kritikoi përpjekjen e Qeverisë turke për të bërë fushatë në vendet e BE-së.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG