Ndërlidhjet

BE konfirmon perspektivën evropiane për Ballkanin, e shqetësuar për tensionet në rajon


Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mundësinë e rritjes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor dhe njëkohësisht edhe me ndikimet negative që, siç u tha, “forcat e jashtme” mund të kenë në rajon.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të premten se “janë shtuar përpjekjet për destabilizim të rajonit të Ballkanit”.

“Është e qartë për të gjithë se ekzistojnë forcat e brendshme dhe të jashtme të cilat po bëjnë përpjekje për ta destabilizuar rajonin. Ne nuk jemi naiv dhe prandaj edhe kemi shprehur mbështetjen e pa rezervë”, tha Tusk.

Megjithëse nuk emërtoi drejtpërdrejt ndonjë “forcë të jashtme” shumë zyrtarë të BE-së pranuan se fjala është para së gjithash “për rolin e Rusisë në rajon dhe kjo tash e një kohë e shqetëson edhe BE-në”.

Në Samit, Donald Tusk u rizgjodh President i Këshillit Evropian në një mandat të ri për dy vjet e gjysmë, përkundër kundërshtimeve nga Polonia, e cila nuk e mbështeti miratimin e konkluzave të Këshillit Evropian.

Të premten konkluzat u publikuan në formën e “konkluzave të Presidentit të Këshillit Evropian”.

Në konkluza konfirmohet mbështetja për vendet e Ballkanit por, siç kanë vërejtur shumë diplomatë evropianë, nuk përmendet në mënyrë formale anëtarësimi në BE apo zgjerimi i BE-së.

Në vend të kësaj përdoret formulimi “perspektiva evropiane”.

Në deklaratën e Presidentit të KE-së, “nënvizohet rëndësia e vazhdimit të rrugës së reformave, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nismave gjithëpërfshirëse rajonalë dhe rikonfirmohet perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor”.

“Duke mirëpritur progresin e arritur nga vendet e rajonit, Këshilli Evropian nënvizon se BE-ja do të mbetet e përkushtuar për t’u angazhuar në të gjitha nivelet për t’i mbështetur ato në reformat dhe projektet e orientuara nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e Kryesuesit të Këshillit Evropian në pjesën që flet për Ballkanin Perëndimor.

Diskutimet për të ardhmen e Evropës dhe njëkohësisht për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor u bënë gjatë një Samiti dyditor në Bruksel, pa pjesëmarrjen e Britanisë së Madhe.

Liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së u përqendruan në të ardhmen e Evropës dhe përgatitjen e një deklarate që do të miratohet në Romë në fund të muajit mars, kur do të shënohet edhe 60 vjetori i asaj që sot është Bashkimi Evropian. (REL)

XS
SM
MD
LG