Ndërlidhjet

Holanda refuzoi aterrimin e aeroplanit të Cavusoglut; Erdogan kërcënon


 Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Një zënkë diplomatike ndërmjet aleatëve të NATO-s, Turqisë dhe Holandës, lidhur me fushatën e jashtme turke për referendum, është përshkallëzuar sot, kur Holanda nuk dha leje për aterrim të aeroplanit të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar në mënyrë të vrullshme, duke u kërcënuar se do të përgjigjet njëlloj kundër diplomatëve të Holandës.

Për të dytën herë gjatë javëve të fundit ai e përdori fjalën “Nazi”, por kësaj radhe kundër Holandës, pasi më herët e kishte akuzuar aleatin tjetër të NATO-s, Gjermaninë, për “praktika naziste” për shkak të tërheqjes së autorizimeve për tubime në kuadër të fushatës së Turqisë për referendum, me të cilin do të mund të rriten autorizimet e presidentit, Recep Tayyip Erdogan.

Por, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka reaguar ashpër ndaj këtyre komenteve, duke thënë se ato janë “të papranueshme”.

Zoti Erdogan sot tha se sjellja e Holandës ishte përkujtim i nazizmit.

“Këto janë mbetje të nazistëve, ata janë fashistë”, tha sot Erdogan gjatë një tubimi në Stamboll.

Qeveria e Holandës sot nuk ka lejuar që aeroplani i ministrit Cavusoglui të ateroj, duke thënë se e ka tërhequr lejen, për shkak të “rreziqeve për rendin dhe sigurinë publike”, të shkaktuar nga vizita e propozuar e zotit Cavusoglu në qytetin Roterdam.

Ministri Cavusoglu ka dëshiruar ta mbajnë një tubim për ta promovuar referendumin turk, që parashihet të mbahet muajin e ardhshëm.

Autoritetet e Roterdamit më parë nuk kishin dhënë leje që Cavusoglu të fliste në një tubim të turqve në këtë qytet, ndërsa kryetari i qytetit, Ahmed Aboutaleb, ka thënë se ky fjalim do të mund të paraqiste kërcënim për “rendin publik”.

Aboutaleb, i cili prej vitit 2009 është kryetar i Roterdamit, është imigrant i natyralizuar nga Maroku dhe me religjion është mysliman.

Mevlut Cavusoglu ka paralajmëruar se Turqia do të përgjigjet me sanksione politike dhe ekonomike.

“Nëse Holanda e anulon lejen për fluturimin tim të sotëm, atëherë do të ketë sanksione të ashpra ekonomike dhe politike kundër Holandës. Kjo nuk do të kaloj pa përgjigje. Do të ketë pasoja të rënda”, i tha sot rrjetit CNN Turk, ministri Cavusoglu.

Qeveria e Holandës ka shpjeguar se kërcënimi i Turqisë për sanksione e ka bërë të pamundur ndonjë kërkim për “zgjidhje të arsyeshme”.

Zyrtarët në disa qytete kryesore evropiane nuk kanë lejuar mbajtje të tubimeve me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Turqisë, që në mesin e pjesëtarëve të diasporës turke në Evropë, ta promovojnë referendumin për ndryshime kushtetuese në Turqi, që mbahet më 16 prill, me të cilin do të zgjeroheshin autoritetet e Erdoganit.

Katër tubime të planifikuara në Austri dhe një në Zvicër, po ashtu, janë anuluar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG