Ndërlidhjet

Ndarja problematike e Klinikës së Kardiologjisë


Një letër e nënshkruar nga një grup i mjekëve të Klinikës së Kardiologjisë në Prishtinë, drejtuar të gjitha institucioneve në vend, me të cilën kërkohet parandalimi i ndarjes së njësisë së kardiologjisë invasive nga kjo klinikë, ka ngritur ‘shqetësime’ të reja të punës në këtë institucion.

Sipas letrës së nënshkruar, mjekët e kardiologjisë kanë shprehur shqetësimin e tyre për bashkimin e njësisë së Kardiologjisë invazive "një nga njësitë e Klinikës së Kardiologjisë) me Klinikën e Kardiokirurgjisë, duke e vlerësuar këtë veprim si “të dëmshëm për pacientët” dhe si “pengesë e punës së Klinikës së Kardiologjisë”. Në letër gjithashtu thuhet se nëse mundësohet një veprim i tillë edhe “procesi mësimor do të vështirësohet”.

Me letrën e nënshkruar, mjekët kanë ripërsëritur një kundërshtim ndaj një ideje të tillë, për herë të dytë që prej vitit 2014 kur ishte iniciuar një veprim i ngjashëm.

Basri Sejdiu, kardiolog, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se letra e adresuar është e padrejtë, dhe siç thotë ai, Kardiologjia invazive dhe kardiokirurgjia e mbështesin njëra- tjetrën dhe kanë lidhshmëri nga aspekti profesional.

Por, doktor Gani Bajraktari, profesor i kardiologjisë, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se për ndarjen e tillë asnjëherë nuk është diskutuar në kolegjiumin e kësaj klinike.

“Ndarja e kardiologjisë është shembull i paparë diku në botë. Kardiologjia invazive si boshti i kardiologjisë, të shkojë në një klinikë tjetër kardiokirurgjike. Ne kemi parë, jemi trajnuar në shumë vende të botës, por askund nuk kemi parë një shembull të tillë. Është një skandal i madh dhe eksperiment shumë i rrezikshëm për pacientët. Nuk e dimë motivacionin pse është ndarë dhe krejt kjo në mënyrë tinëzare. Kjo mund të ndodhë për të monopolizuar disa vetë një shërbim, në mënyrë që të tjerët të mos kenë qasje, që kanë kryer shkollë por nuk mund të punojnë”, ka thënë zoti Bajraktari.

Në anën tjetër Basri Sejdiu thotë se çështja e ndarjes së klinikave është iniciuar qysh në vitin 2014, derisa më pas ishte anuluar, për t’u rikthyer sërish, ashtu siç ishte paraparë me statutin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Kardiologjia invasive dhe kardiokirurgjia e suportojnë njëra-tjetrën dhe kanë lidhshmëri nga aspekti profesional. Edhe ashtu është projekti i përbashkët modern dhe kjo është në rregull, pra bashkimi i këtyre dy njësive. Ndërsa peticioni i cili është adresuar, mendoj se është i padrejtë. Ata që punojnë dhe janë përgjegjës për punën që e kryejnë, ata edhe vendosin se si është puna dhe rezultati më i mirë. Pra, me bashkimin e këtyre dy klinikave është një organizim më i mirë më i suksesshëm dhe për pacientët do të jetë një siguri më e madhe”, thotë Sejdiu.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani ka thënë se tashmë ka aprovuar kërkesën e mjekëve si dhe të bordit për bashkimin e klinikave, derisa jep edhe hollësi të tjera.

“Unë kam aprovuar kërkesën e bordit të SHSKUK-së të datës 15.10 2014, e cila kërkesë konsiston me kthimin e kërkesës që kanë bërë paraprakisht Klinika e Kardikokirurgjisë dhe ajo e Kardiologjisë të datës 8 shtator 2016. Kanë kërkuar nga bordi i shërbimit klinik spitalor që të kthehen këto dy shërbime në kuadër të shërbimit të kardiokirurgjisë. Unë e kam aprovuar shfuqizimin e vendimit të datës 15 tetor 2014 dhe kam kthyer në normalitet një gjendje e cila edhe me statut është paraparë. Përkundër kërkesës, gati dy muaj më herë unë kam riproceduar edhe një herë përmes njerëzve profesionistë dhe takimeve direkte me profesionistë dhe kam aprovuar këtë kërkesë të bordit të Shërbimit Klinik Spitalor”, ka thënë Rrahmani.

Ndërkohë ministri Rrahmani ka shtuar se pas kundërshtimit të një grupi të mjekëve brenda Klinikës së Kardiologjisë, është rikonsultuar me profesionist të fushës, para se të aprovojë kërkesën e bordit.

“Unë nuk e di çka ka ndodhë ndërkohë por e di se më është dashur të konsultohem rishtas dhe më vonë të aprovoj kërkesën e SHSKUK-së, që kardiologjia invazive të jetë pjesë e shërbimit të kardiokirurgjisë, dhe unë kam aprovuar këtë kërkesë të bordit”, ka shtuar Rrahmani.

Ndërkaq anëtari i bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli, thotë se ideja e bashkimit të kardiologjisë invazive me kardiokirurgjinë, ka qenë ide e vetë mjekëve brenda klinikave, derisa bordi ka përkrahur një vendim të tyre.

“Me statutin e SHKSUK-së ka qenë e paraparë që këto klinika të bashkohen. Por një shkrim që e ka bërë doktor Gani Bajraktari, e kemi ndalur një vendim të tillë. Më paskërkesa ka pasuar nga kardiologë të tjerë brenda klinikës, e që ata janë të ndarë fatkeqësisht pas aferës stenta”.

“Kërkesa ka ardhur që të bashkohen klinikat dhe e kemi pasuar atë shkresë te ministri Imet Rrahmani. Pas vendimit të ministrit, kemi qenë të obliguar ta respektojmë vendimin. Procesi ka vazhduar dhe tash kardiologjia invazive është pjesë e kardiokirurgjisë”, ka theksuar Veseli.

Në lerën e nënshkruar nga mjekët, ndërkaq i bëhet thirrje institucioneve të vendit që të parandalojnë ndarjet brenda klinikës dhe bashkëngjitjes së njësive në klinikat e tjera, duke theksuar se në të kundërtën “pasojat”, siç thonë mjekët, “do të jenë të paparashikuara dhe të pariparueshme”. (REL)

XS
SM
MD
LG