Ndërlidhjet

Turqia kritikon BE-në se po përkrah Holandën

  • RFE /RL

Turqit në Holandë duke protestuar pranë konsullatës turke, më 11 mars

Ministria e Jashtme e Turqisë ka hedhur poshtë kërkesën e Bashkimit Evropian, që të përmbahet, për shkak të mosmarrëveshjes me Holandën mbi tubimet politike.

Turqia ka kritikuar Bashkimin Evropian se ka qëndruar përkrah Holandës në mosmarrëveshjen diplomatike në mes dyja shteteve, për shkak të tubimeve poltike të ministrave turq në Holandë, raporton Associated Press.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke thuhet se Bashkimi Evropian ka ushtruar vlerat demokratike në mënyrë selektive dhe se nuk duhet të qëndrojë përkrah Holandës, të cilën Ankaraja e akuzon për shkelje të të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane.

“Deklarata shkurtpamëse e BE-së nuk ka vlerë për vendin tonë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Duhet të kuptohet se deklarata e BE-së... në fakt ndihmon në krijimin e ekstremeve siç është ksenofobia dhe ndjenjat anti-turke”, thuhet tutje në deklaratë.

Të hënën, përmes një deklarate të përbashkët, shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, i kanë bërë thirrje Turqisë të përmbahet nga “deklaratat e tepërta”, me qëllim që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë i tensioneve, raporton Reuters.

Përshkallëzimi i tensioneve diplomatike Turqi-Holandë ka rritur shqetësimin për bashkëpunimin në mes të BE-së dhe Turqisë për një sërë çështjes, përfshirë këtu edhe fluksin e migrantëve që vijnë nga Siria.

Ankaraja të hënën në mbrëmje vendosi sanksione ndaj Holandës duke ia ndaluar ambasadorit holandez kthimin në Turqi dhe i pezulloi bisedimet politike në nivel të lartë.

Qeveria e Holandës për shkak të “rrezikut për rendin dhe qetësinë publike si dhe sigurinë” e ka tërhequr, të shtunën, lejen për aterrimin e aeroplanit të ministrit të jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu i cili pati paralajëmruar se në Roterdam do të marrë pjesë në mitingun e mbështetjes për referendumin turk, me të cilin ‘forcohet sistemi presidencial në Turqi’.

Holanda gjithashtu ndaloi që ministrja për Çështje Familjare, Fatma Betul Sayan Kaya, të mbaj tubim politik. Pas kësaj, Turqia ia dorëzoi Holandës dy nota të ndara diplomatike.

I ngarkuari me punë i Holandës të martën u thirr për të tretën herë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, ka bërë të ditur televizioni turk TRT.

Në notën e parë që iu dorëzua u tha se ndalesa e ministrave turq që të flasin në tubimet në Holandë është në kundërshtim me demokracinë, të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe shënon shkeljen më të rëndë të konventës së Vjenës për marrëdhëniet konzullore dhe diplomatike.

Në notë thuhet se ‘Turqia posedon të gjitha të drejtat e dëmshpërblimit dhe do të hetojë të gjitha veprimet që janë zbatuar ndaj ministrave dhe shtetasve turq’.

Pas vendimit të 11 marsit për ndalimin e tubimeve të ministrit të Jashtëm dhe asaj të Çështjeve Familjare,presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan është zotuar se Holanda do të paguajë për këto veprime.

Herët ose vonë, ju do të paguani për këtë. Ne shpejt, përmes mjeteve diplomatike, do të bëjmë që Holanda të mbajë përgjegjësi”, ka thënë Erdogan.

Kryeministri holandez, Mark Rutte ka thënë se nuk ndihet mirë që zyrtarët turq të mbajnë fushatë në vendin e tij.

Ne nuk ndihemi rehat që ministrat turk të bëjnë fushatë këtu për referendumin, veçanërisht sepse ata do t’iu thonë 400,000 njerëzve në Holandë, që kanë prejardhje turke, se ende i konsiderojë qytetarë të Turqisë. Ata nuk janë. Ata janë qytetarë holandezë, të cilët kanë të drejtë të votojnë në referendumin turk. Por, fillimisht ata janë qytetarë të Holandës”, është shprehur Rutte.

Erdogan ka akuzuar Holandën për veprime fashiste, ndërkaq, më herët gjatë këtij muaji pas anulimit të disa tubimeve në Gjermani, ai akuzoi Berlinin për “praktika naziste”.

Turqia planifikon që më 16 prill të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese, që do të rrisin kompetencat e presidentit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

XS
SM
MD
LG