Ndërlidhjet

Shqetësime vendore dhe ndërkombëtare me shkurtimet në buxhetin amerikan

  • RFE /RL

Propozimi i djeshëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për uljen e financimit të Departamentit të shtetit dhe të ndihmës ndërkombëtare, për afro një të tretën, ka shkaktuar kritika dhe shqetësime brenda Amerikës dhe jashtë saj.

Sdekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka tërhequr vërejtjen kundër “shkurtimeve të papritura të financimit” të cilat mund ta “shkatërrojnë ndikimin e përpjekjeve për reforma afatgjate” në OKB, pasi presidenti Trump ka propozuar reduktim të pjesës së SHBA-ve në financim për operacionet paqeruajtëse, prej 28% në 25%.

Në këtë kuadër, pjesa amerikane e financimit aktualisht është në shumë prej 7.9 miliardë dollarësh.

Ambasadori i Francës në Kombet e Bashkuara, Francois Delattre, tha se botës më tepër se asnjëherë i nevojitet “OKB e fuqishme dhe Amerika, e cila mbetet e përkushtuar për punët botërore”.

“Tërheqja e Amerikës dhe unilateralizimi ose edhe vetëm perceptimi i tij krijon rreziqe, që mund të çojnë në “jostabilitet” më të madh global", tha Delattre.

Por, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se “Kombet e Bashkuara shpenzojnë më tepër para se sa duhet, dhe në shumë mënyra kjo paraqet ngarkesë shumë më të madhe financiare për Shtetet e Bashkuara se sa për vendet e tjera”.

Përkundër pjesëmarrjes më të madhe në çmimin e operacioneve paqeruajtëse, Shtetet e Bashkuara, po ashtu, e financojnë afërsisht një të katërtën e buxhetit të tërësishëm të OKB-së dhe të agjencive të saj, siç janë Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA).

Pas SHBA-ve, Kina dhe Japonia janë kontribuesit më të mëdhenj për paqeruajte, secili me nga 10%, pastaj radhiten Gjermania dhe Franca me nga 6%.

Ish-ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit, Nisha Biswal, tha se ulja e propozuar prej 10.9 miliardë dollarësh në financimin e Departmanetit të shtetit dhe Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), për afro 28%, do të jetë “destabilizuese dhe e papërgjegjësi”.

“Ndikimi do të jetë i jashtëzakonshëm në programet vendëse dhe ndërkombëtare”, ka shkruar ajo në rrjetin Twitter dhe ka shtuar se “më së shumti do të goditen të varfërit në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj”.

Ajo kërkoi që Kongresi i Shteteve të Bashkuara ta bëjë atë që mundet në çështjen e buxhetit për ndihë të jashtme.

Shkurtimet e thella të jashtme dhe të brendshme në planin e buxhetit për vitin fiskal 2018, në shumë prej 3,800 miliardë dollarë, me të cilin synohet rritje prej 10% ose 54 miliardë dollarë për shpenzime ushtarake, ka shkaktuar kundërshtim pothuajse unanim nga demokratët dhe republikanët në Kongresin amerikan.

Dy senatorë amerikan, që vitin e kaluar kishin zhvilluar garë të ashpër për nominim republikan presidencial me zotin Trump, janë shprehur fuqishëm kundër ndryshimit masiv të fondeve nga diplomacia në mbrojtje.

“Ndihma e jashtme nuk është bamirësi”, tha senatori republikan, Marco Rubio, ndërsa senatori tjetër republikan, Lindsey Graham, theksoi se “këto rritje në mbrojtje bëhen në shpenzim të sigurisë kombëtare”.

Anëtarët demokratë të Komitetit për punë të jashtme të Dhomës Përfaqësuese i kanë dërguar letër kryesuesit të Dhomës, Paul Ryan, për ta shprehur shqetësimin e tyre dhe thanë se është shkurpamëse për ta shkurtuar diplomacinë dhe ngritur financimin për ushtri.

“Diplomatët tanë i zgjidhin mospajtimet, prandaj ato nuk do të zgjidhen me bomba dhe plumba”, kanë shkruar demokratët.

Rezervime kanë shprehur edhe disa ish-zyrarë të lartë të mbrojtjes.

“Ne kemi mësuar në Irak dhe Afganistan se ushtrisë sonë i duhet një partner efektiv civil nëse fitoret në fushëbetejë do të kthehen në paqe të qëndrueshme”, i tha së përditshmes, New York Times, Stpehen Hadley, këshilltar për siguri kombëtare i ish-presidentit, George W. Bush.

“Vetëm paqja e qëndrueshme siguron se shtetet e pas konflikteve nuk kthehen përsëri që të bëhen strehim i sigurt për terroristë”, tha Hadley.

Por, sekretari i shteti, Rex Tillerson, e ka mbrojtur uljen e financimit të diplomacisë amerikane, të cilën ai do ta mbikëqyrë, nëse Kongresi i Shteteve të Bashkuara do t’i pranoj të gjitha shkurtimet.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG