Ndërlidhjet

Reagime pasi Tillerson nuk merr pjesë në mbledhjen e NATO-s

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson

Shtetet e Bashkuara e kanë lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrëjes së Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, në mbledhjen e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, nëse ai do të mbahej një ditë tjetër.

Ky zhvillim ndodhi vetëm një ditë pasi Departamenti i Shtetit shpalli se Tillerson nuk do të jetë i pranishëm në mbledhjen e aleancës në fillim të muajit prill, por do ta bënte vizitën e tij të parë në Moskë, në kuadër të turneut evropian, më vonë gjatë prillit.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Toner, u tha mbrëmë reporterëve se Uashingtoni ka ofruar datë të mundshme për takimin e NATO-s, që parashihej të mbahej më 5 dhe 6 prill.

Departamenti Amerikan i Shtetit dje pat njoftuar për planin e Tillersonit që t’i shmanget pjesëmarrjes së takimit të ministrave të jashtëm të 27 vendeve të tjera anëtare, por nuk i shpjegoi arsyet.

Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë, pas deklaratës së fundit të zëdhënësit Toner, se NATO-ja është “në kontakt me Departamentin e Shtetit” për gjetjen e një termini tjetër.

Të gjitha vendimet për datën e takimeve ministrore merren me konsensus nga të gjithë 28 aleatët”, tha ky zyrtar.

Njëherësh, NATO-ja ka njoftuar se Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, do të udhëtojë për në Uashington për takimin e tij të parë me presidentin amerikan, Donald Trunp, më 12 prill.

Një zëdhënëse e NATO-s tha se në këtë takim do të diskutohet “rëndësia e NATO-s së fuqishme që siguron mbrojtje kolektive dhe e projekton stabilitetin jashtë kufijve të aleancës”.

Liderët e vendeve të NATO-s do të takohen në Bruksel më 25 maj për takimin e tyre të parë, prej se Trump fitoi në zgjedhjet presidenciale amerikane, në nëntor të vitit të kaluar.

NATO-ja thotë se agjenda e samitit përfshinë edhe “rolin e aleancës në luftimin e terrorizmit dhe rëndësinë e rritjes së shpenzimeve për mbrojtje dhe ndarje më korrekte të ngarkesës”.

Administrata Trump u ka bërë presion aleatëve të NATO-s për ta plotësuar përkushtimin për shpenzimin e shumës prej 2% të GDP-së së tyre për çdo vit, deri në vitin 2024.

Shpallja se Tillerson nuk do të ishte i pranishëm në mbledhjen e NATO-s, ka shkatuar kritikë nga demokratët në Komitetin e çështjeve të jashtme të Dhomës Përfaqësuese dhe nga dy ish-ambasadorë amerikanë në NATO.

Mospjesëmarrja e Tillersonit në mbledhje ka shkaktuar, po ashtu, shqetësim në mesin e anëtarëve të aleancës për përkushtimin e administratës Trump ndaj NATO-s.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Toner, u tha gazetarëve se Shetet e Bashkuara mbesin “100% të përkushtuara për NATO-n” dhe se Tillerson do të ketë mundësi që të bisedojë me kolegët e NATO-s këtë javë në Uashignton, gjatë takimit për luftimin e grupit ekstremist, Shteti Islamik.

I pyetur nga reporterët për planet e Tillersonit për të udhëtuar në Rusi, përfshirë takimin e mundshëm me presidentin, Vladimir Putin, zoti Toner ka refuzuar të paraqes detaje, duke thënë se “nuk është i gatshëm të bëjë deklaratë formale”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, dje tha se kjo ministri “nuk ishte e përgatitur për ta konfirmuar ose përgënjeshtruar këtë informacion”.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi dhe ish-zëvendëssekretar i përgjithshëm i NATO-s, Alexander Vershbow, tha se ishte i shqetësuar për vendimin që Tillerson të mos jetë pjesëmarrës në mbledhjen e minsitrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Si veteran i NATO-s do të thoja se prania e Sekretarit Amerikan të Shtetit, veçanërisht mundësia e parë e tij për tu bashkuar me kolegët në takimin ministror, është diçka që nuk duhet të mos ndodhë, sidomos kur ne ballafaqohemi me shumë sfida. Por mendoj se çështje shumë më bazike është konsultimi së pari me aleatët e juaj, para se ju të angazhohen me Rusinë, prandaj, mbesim me shpresë se do të ketë mënyra të tjera që ai ta bëjë këtë”, tha Alexander Vershbow, gjatë një dëgjimi në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG