Ndërlidhjet

Themelimi i Asociacionit në “pat” pozitë


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe lideri i Listës Serbe, Sllavko Simiq

Qeveria e Kosovës është e gatshme të nisë diskutimet për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo u është bërë me dije edhe përfaqësuesve të Listës Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, në tetor të vitit të kaluar kanë braktisur institucionet qendrore në shenjë proteste ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investimet strategjike nga Kuvendi i Kosovës. Tash e disa javë, ata kanë thënë se kusht për kthimin e tyre në institucione është themelimi i Asociacionit.

Në takimin e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian dhe Komisioni Evropian, më 21 mars në Bruksel, është theksuar “rëndësia që Kosova të fillojë punën për hartimin e statutit të Asociacionit/Bashkësisë pa vonesa të mëtejshme".

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deri më tash u ka bërë tri herë ftesë përfaqësuesve të Listës Serbe, që të kthehen në institucione për të nisur punën rreth Asociacionit.

Ka caktuar takim (kryeministri Mustafa), në të cilin kanë marrë pjesë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, në të cilin ne kemi pasur për qëllim fillimin e diskutimeve për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, ata nuk i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit. Ne presim që ata të vijnë, sepse ne e kemi bërë të qartë edhe në takimet që kemi pasur me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, se ne jemi të gatshëm që të diskutojmë këtë çështje”.

Por, rreth dy muaj më parë, përfaqësuesit e Listës Serbe patën kërkuar që për fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ketë një dekret nga kryeministri Mustafa. Ky kusht ishte vlerësuar i pazbatueshëm nga Qeveria e Kosovës.

Lista Serbe tashmë insiston që më parë të fillojë puna për krijimin e Asociacionit ose të ketë sinjale serioze nga Qeveria për një gjë të tillë, e më pas përfaqësuesit e kësaj liste të kthehen në institucione, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, Slavko Simiq, drejtues i Listës Serbe dhe shef i grupit parlamentar të këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës.

Në qoftë se vërtetë fillohet me formimin e Bashkësisë së komunave serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, kjo sigurisht që do ta nënkuptojë edhe kthimin tonë në institucione, përfshirë këtu edhe gjithë mbështetjen tonë politike dhe logjistike për Grupin menaxhues për hartimin e statutit”, ka thënë Simiq.

Por, zëvendësministri Gecaj, thekson se për të diskutuar lidhur me themelimin e Asociacionit dhe hartimin e statutit të tij, nevojitet pala tjetër biseduese, që në këtë rast është Lista Serbe, përfaqësuesit e së cilës, sipas tij, duhet të jenë në institucionet e Republikës së Kosovës. Ai shpreh mendimin se mosprania e Listës Serbe në institucione, ka ndërlidhje edhe me varësinë e tyre nga autoritetet e Beogradit.

Unë e shoh problemin në destruktivitetin e Qeverisë së Serbisë, sepse besoj që përfaqësuesit e Listës Serbe janë të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë për këtë çështje, por edhe për shumë çështje tjera, të cilat i mundojnë ata. Megjithatë, në këtë, sipas të gjitha gjasave, janë të penguar nga Qeveria e Serbisë dhe kjo mund të ketë lidhje, sigurisht, edhe me zgjedhjet në Serbi”.

Ditë më parë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, kanë siguruar serbët e Kosovës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet gjatë këtij viti, por për ta bërë këtë, ata kanë sugjeruar që përfaqësuesit e komunitetit serb duhet të jenë në institucionet e Kosovës. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG