Ndërlidhjet

Dhëndrri i Trumpit dëshmon për “ndërhyrjen eventuale ruse” në zgjedhje

  • RFE /RL

Jared Kushner, dhëndrri dhe ndihmësi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të merret në pyetje nga një komitet amerikan, i cili po heton lidhjet e dyshuara midis ekipit të Trumpit dhe Rusisë.

Shtëpia e Bardhë tha se Kushner është vullnetar për të folur me Komitetin e Senatit për Inteligjencë.

“Kushner nuk do të thirret në imunitet dhe do të dëshmojë në Komitetin e Senatit për Inteligjencë, në kuadër të hetimeve për përzierjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale”, tha Shtëpia e Bardhë.

Komiteti i Senatit për Inteligjencë është duke hetuar ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Komuniteti i inteligjencës beson se hakerët rusë kanë pirateruar kompjuterë, në favor të Trumpit.

Rusia i ka mohuar akuzat, ndërsa Trump ka thënë se këto janë “lajme të rreme”.

Kushner do të merret në pyetje për dy takime që ka aranzhuar me zyrtarët rusë si ndihmës i lartë i Trumpit, gjatë tranzicionit, raporton New York Times.

Takimi i parë ishte me ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyaj, në Kullën Trump në Nju Jork, dhjetorin e kaluar. Takimi i dytë, ndërkaq, ishte me kreun e Bankës për Zhvillim të Rusisë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se Kushner nuk është thirrur në privilegjin ekzekutiv dhe do të dëshmojë, sepse, gjatë fushatës, ai ka shërbyer si “kanal për udhëheqësit”.

“Ky ka qenë roli i tij dhe ai do të tregojë se është i pastër”, tha Spicer.

Stafi i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë gazetës New York Times se ekipi i presidentit, në mënyrë rutinore, ka takuar delegacione ruse dhe të tjera të huaja.

Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se takimet e Kushnerit me zyrtarët rusë kanë qenë “rutinore”.

“Udhëheqësit e bankës kanë pasur dhjetëra takime të tilla si me Kushnerin”, tha Peskov.

Kushner u tha mediave se “qeveria duhet të udhëhiqet si kompani e madhe amerikane”.

Ai është investues në prona dhe është i martuar me vajzën e Trumpit, Ivanka. Kushner e këshillon presidentin për marrëdhëniet me jashtë. (REL)

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG