Ndërlidhjet

Protestë një orëshe e punonjësve të shëndetësisë


Protesta e punëtorëve shëndetësorë

Punëtorët shëndetësorë kanë nisur të mërkurën një protestë një orëshe, të cilësuar paralajmëruese, me kërkesën për rritjen e pagave dhe krijimin e kushteve të punës.

Protesta u shtri në gjithë Kosovën dhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë paralajmëruan se në rast të mospërmbushjes së kushteve do të futen në një protestë të përgjithshme.

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, pak kohë më parë, i dha afat prej dy javësh Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që të përmbushë një varg kërkesash, përfshirë edhe rritjen e pagave për punonjësit shëndetësorë, në të kundërtën ‘kërcënoi me grevë të përgjithshme’.

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës tha se kjo protestë është ‘paralajmëruese për qeveritarët’.

Sot në gjithë Kosovën, në tri nivele po mbahet protesta paralajmëruese për qeveritarët, që të reflektojnë. Kërkesat janë kushtet e punës, rritjen e pagës etj. Koeficienti në ligjin e pagës na kishte lënë në fund të listës, por me tërheqje besoj se do të rangohemi më lart. Në gjithë botën përgjegjësia e mjekut është më e larta në shoqëri dhe uroj që kërkesat të na plotësohen”, tha Selmani.

Selamani tha se veç tjerash, kërkesa e protestës është edhe zgjidhja e çështjes së specialistëve të rinj.

Këtu kemi edhe specialist të rinj e që besoj që do t’iu bëhet zgjidhja. Ne po plakemi dhe shëndetësia ka nevojë për njerëz të rinj. Edhe ashtu mosha mesatare është 52-55 vjeç, mjekët e rinj po ikin jashtë vendit dhe do të vie koha kur do të kemi mungesë”, është shprehur Selmani.

Në protestën e organizuar morën pjesë edhe mjekë nga Qendra Emergjente. Afërdita Gjigoli, përfaqësuese e sindikalistëve të Qendrës Emergjente, ka thënë se po e përkrahin protestën, ndonëse klinika emergjente asnjëherë më parë nuk ka qenë pjesë e protestave dhe bojkotit të punës, për shkak të natyrës emergjente.

Edhe ne e kemi përkrahur protestën, ndonëse ligjërisht nuk na lejohet të dalim në protesta gjatë orarit të punës. Në qoftë se nuk përmbushen kërkesat gjatë kohës sa është caktuar, sërish do të dalim. Kushtet e punës edhe degradimi që i është bërë shëndetësisë na ka detyruar të dalim në protestë ndonëse ndihemi shumë keq”, ka thënë Gjigoli.

Njëri nga mjekët specialist Amir Veseli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se arsyeja pse ai po proteston sot është rritja e pagës si dhe sistematizimi i specialistëve të rinj, e që kanë qenë deri tash të angazhuar me kontratë mbi vepër.

Në konkursin e fundit nuk janë paraparë kriteret për sistematizim, ashtu si është paraparë dhe ashtu si klinikat kanë vendosur. Ne mendojmë se ky konkurs nuk përfshin nevojat e specialistëve dhe një grup do të mbetë jashtë sistemit. Mendojmë se duhet të rishikohet konkursi dhe ndryshohet. Ne kemi filluar të marrim masa, e që do të lajmërojmë edhe Qeverinë, ndryshe do të shihet mundësia e marrjes së vendimeve për protesta”, ka thënë Veseli.

Sidoqoftë, mjekët specialist kohë më parë kishin kërkuar që pagat e tyre të ngriten në një nivel me deputetin e Kuvendit të Kosovës. Paga e një deputeti në Kosovë sillet në 1500 euro derisa mjeku specialist paguhet rreth 600 euro në muaj.

Ndërkaq në Ligjin për pagat që është paraparë të kalojë në Kuvend, ishte paraparë që mjekët specialist të radhiten në koeficientin 2.7 në një shkallë prej 1 deri në 11. Por me kundërshtimin e mjekëve ligji u tërhoq, për t’u rishikuar. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG