Ndërlidhjet

Asociacioni, zbatim i marrëveshjes apo “pazar” politik


Qeveria e Kosovës është e gatshme që të nis procesin e hartimit të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas kthimit të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e ekzekutivit presin që javën e ardhshme të diskutojnë me përfaqësuesit e kësaj liste edhe për kthimin e tyre në ekzekutivin e vendit.

Gjithashtu, sipas tij, pritet të diskutohen edhe mundësitë e ndryshimeve të kuadrove apo të individëve që do ta përfaqësojnë Listën Serbe në qeverinë e vendit.

“Sapo të ndodhë kjo, ne i kemi emrat e Grupit menaxhues, të katër serbëve, të cilët duhet të koordinohen me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku unë punoj si zëvendësministër, me ministrin e ri, të cilin do ta vendosë Lista Serbe. Pastaj, ky koordinim duhet të bëhet edhe me OSBE-në dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që ne të fillojmë punën në përpilimin e statutit (të Asociacionit), e cila punë, besoj që do të marrë një kohë. Pastaj, nëse ka nevojë, kur ta kemi një draft të statutit, atëherë këtë draft mund ta diskutojmë gjithashtu edhe në Bruksel”.

Më 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pati vlerësuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese pati marrë vendim, që Asociacioni të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë.

Por, njohësit e aspekteve juridike në vend, e kanë ngritur dilema rreth mundësisë së zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë Gjykata Kushtetuese, në rastin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka dështuar të instalojë doktrinën juridike që dy asociacionet, siç thotë ai, i shqiptarëve dhe ai i serbëve, të jenë të veçanta, por të barabarta.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin nuk ka arritur të zbatohet deri më tash dhe siç thotë ai, gjykata Kushtetuese nuk e ka denoncuar ekzekutivin në Prokurorinë e Shtetit për një gjë të tillë.

“Moszbatimi për 15 muaj, që nga dhjetori i vitit 2015, nënkupton që Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje - për shkak se është peng i një pazari politik me Listën Serbe, me qeverinë e Beogradit dhe me një dialog, i cili është jo proporcional me Qeverinë e Serbisë - për ta zbatuar këtë aktgjykim dhe për ta lejuar krijimin e asociacionit në fjalë. Meqenëse nuk kemi zbatim, atëherë kjo nënkupton se që, të dyja, Gjykata Kushtetuese dhe Qeveria e Kosovës, kanë dështuar që ta përcaktojnë se çka është fryma kushtetuese e Republikës së Kosovës nëse dy asociacione të komunave janë monoetnike”.

Megjithatë, sipas Gjykatës Kushtetuese, çdo hartim i statutit të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me vendimin e saj dhe mund të bëhet vetëm pasi ta ketë vlerësuar sërish vetë kjo Gjykatë.

Zëvendësministri Gecaj, konfirmon se në fund të procesit, statuti i Asociacionit do t’i dërgohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

“Pasi të përpilohet komplet statuti, ai statut, me një dekret të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese . Fjala përfundimtare në të do të jetë e gjykatës Kushtetuese”.

Por, profesor Qorolli konsideron se do të jetë e pamundur që hartim i statutit të Asociacionit të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht edhe në përputhje me kërkesat e Listës Serbe për kompetencat e Asociacionit.

“Do të jetë një mision i pamundur, sepse kjo përcakton një lindje të re të një entiteti kushtetues në rendin tonë juridik, për shkak se ai aktgjykim dhe vet statuti do të ketë defektet e saj në frymën kushtetuese. Prandaj, këtu po duhet një pazar i ri politik që duket se do të negociohet në Berlin ose gjetiu, në mes të Kosovës dhe Serbisë, për ta lejuar ndoshta edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës, për ta lejuar edhe lirinë e lëvizjes së Kosovës. ky është një karrem më tepër politik”.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, thonë se do ta vazhdojnë punën në Kuvendin e Kosovës, por ata nuk kanë dashur të japin ndonjë përgjigje lidhur me atë se a do të kthehen në qeverinë e vendit në javën e ardhshme, ashtu siç presin zyrtarët e ekzekutivit. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG