Ndërlidhjet

Raporti i ri financiar i Flynnit, përmban pagesa që s’ishin raportuar


Michael Flynn
Michael Flynn

Michael Flynn, ish-këshilltari për siguri nacionale në SHBA, nuk i ka raportuar pagesat nga rrjeti televiziv që mbështetet nga Rusia, dhe nga një firmë tjetër që ka lidhje me Rusinë, thuhet në dokumentet e reja të publikuara nga Shtëpia e Bardhë.

Dokumentet e publikuara më 1 prill, të nënshkruara nga Flynn më 31 mars, kishin të listuara të gjitha angazhimet me subjektet ruse, përfshirë televizionin e mbështetur nga Moska, RT dhe kompaninë ajrore, “Volga-Dnepr Airlines”.

Në këto publikime nuk thuhet se sa është paguar Flynn për mbajtjen e fjalimeve, por ato janë listuar në kategorinë e titulluar “burime të kompensimit që tejkalojnë 5 mijë dollarë në vit”.

Në dokumentet e publikuara më herët, të nënshkruara nga Flynn më 11 shkurt, nuk ishin përfshirë pagesat për tri fjalime që Flynn kishte mbajtur për kompanitë ruse.

Pagesat nga RT kishin dalë në opinion në mënyrë indirekte.

Përfaqësuesit e Elija Cummings, më 16 mars kishin publikuar dokumente ku tregohej se Flynn ishte paguar më shumë se 67 mijë dollarë nga kompanitë ruse para zgjedhjeve presidenciale amerikane, përfshirë këtu 33,750 dollarë nga RT.

Cummings deklaroi se me pranimin e pagesave nga RT, Flynn kishte shkelur dispozitën e pagave të Kushtetutës së SHBA-së, e cila ndalon oficerët ushtarakë që janë në pension, të pranojnë dhurata nga fuqitë e huaja.

Flynn ishte pushuar nga puna nga presidenti Donald Trump më 13 shkurt, vetëm 24 ditë pasi kishte filluar punën si këshilltar për siguri nacionale.

Trump kishte thënë se e ka marrë këtë vendim pasi Flynn e kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence për bisedimet që ai kishte pasur me ambasadorin rus në SHBA, gjatë periudhës transitore të administratës.

Në dokumentete fundit financiare të Flynnit, shfaqen mospërputhjet e të ardhurave, që mund të shtohen në programet e mundshme ligjore.

Ai vazhdon të jetë nën hetim për kontaktet me zyrtarët rusë, në disa hetime të ndara që po zhvillohen për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Përmes avokatëve të tij, Flynn më 30 mars ka shprehur gatishmërinë për të dëshmuar para komiteteve të inteligjencës të Senatit, në qoftë e atij i garantohet imuniteti nga ndjekja penale.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG