Ndërlidhjet

Analistët nuk besojnë se SHBA do të përfshihet më thellë në luftë


Sulmi raketor i Shteteve të Bashkuara kundër një baze ajrore në Siri, mëngjesin e së premtes, ka qenë sulm me shënjestër të specifikuar dhe jo shenjë paralajmëruese për luftë, vlerësojnë analistët.

Lëshimi i 59 raketave Tomahawk nga dy luftanije amerikane në Detin Mesdhe, drejt bazës ajrore Shayrat në perëndim të Sirisë, ka qenë urdhri më ambicioz ushtarak i Donald Trumpit prejse është bërë president.

“Sonte, kam urdhëruar sulm ushtarak në bazën ajrore në Siri, nga ku është kryer sulmi kimik. Është në interesin jetik të sigurisë kombëtare të SHBA-së për të parandaluar dhe penguar përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse”, tha Trump.

Analistët thonë se mesazhi i Trumpit me sulme, me gjasë, ka qëllim të ndalojë përdorimin e armëve kimike dhe nuk është fillim i përfshirjes më të thellë të SHBA-së në konfliktin sirian.

“Sulmet mund të pengojnë Assadin, të detyrojnë bashkëpunimin rus me interesat amerikanë dhe jo të çojnë në përfshirjen më të thellë ushtarake të SHBA-së”, shkroi në Twitter Micah Zenko, ekspert i intervenimit ushtarak në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA.

“Deklarata e Trumpit e bën të qartë se sulmet me raketa të SHBA-së synojnë të forcojnë normën (ndërkombëtare) kundër përdorimit të armëve kimike, jo të mbrojnë civilët sirianë”, shtoi ai.

Sulmet - si hakmarrje për sulmin e dyshuar me gaz nervor në qytetin Khan Sheikhoun të Sirisë, më 4 prill, i cili ka lënë së paku 86 veta ta vrarë - janë sulmet i para amerikane që godasin hapur Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al Assad, pas gjashtë vjetësh luftë civile.

Kjo luftë ka lënë të vrarë mbi 300,000 sirianë, ka zhvendosur miliona njerëz dhe ka kërcënuar të çojë në konfrontim të fuqive rajonale dhe globale me njëra-tjetrën.

Sulmet e SHBA-së po ashtu kanë rritur zemërimin e Kremlinit, i cili mbështet Assadin. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet kundër një shteti sovran janë “shkelje e ligjit ndërkombëtar” që do të shkaktojnë dëme të mëdha” në marrëdhëniet Rusi-SHBA.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se sulmet e SHBA-së kujtojnë kohën kur ky vend ka pushtuar Irakun.

“Është një akt i agresonit, me një pretekst të shpikur. Është i ngjashëm me situatën e vitit 2003, kur Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me disa aleatë të tyre, kanë pushtuar Irakun pa pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar”, tha Lavrov.

Rusia i ka dhënë Assadit mbështetje diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës. Avionët rusë kanë nisur një fushatë ajrore në Siri kundër, siç është thënë, terroristëve, qysh në shtator të vitit 2015.

Rusia ka një zonë ushtarake në bazën ajrore Shayrat, por zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, tha se zyrtarët amerikanë kanë marrë masa paraprake, për të siguruar se ajo zonë nuk do të goditet gjatë sulmeve.

Moska po ashtu tha se ka pezulluar një marrëveshje me Uashingtonin që synon të parandalojë incidentet ajrore mbi Siri.

Shumë ligjvënës amerikanë kanë shprehur frikën se ndërhyrja në Siri mund t’i tërheqë forcat amerikane më thellë në konflikt, por zëdhënësi i Pengatonit, Jeff Davis, tha se sulmet synojnë “të parandalojnë regjimin nga përdorimi i armëve kimike përsëri”.

“Përdorimi i armëve kimike kundër njerëzve të pafajshëm nuk do të tolerohet”, tha Davis.

Jeff White, analist i mbrojtjes pranë Institutit për Politika të Lindjes së Afërt në Uashington, tha se urdhri i Trumpit mund të mos kërcënojë Assadin direkt, por është “goditje mbi sistemin e regjimit”.

Në vitin 2013, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka refuzuar të angazhojë ushtrinë amerikane direkt në Siri, edhe pasi zyrtarët dhe ekspertët e jashtëm kanë konstatuar se Assadi ka përdorur armë kimike në një sulm edhe më vdekjeprurës mbi civilët.

Obama ka paralajmëruar Qeverinë e Sirisë të mos kalojë “vijën e kuqe” në përdorimin e armëve kimike.

Në atë kohë, Trump, sipërmarrës miliarder, ka bërë postime në Twitter në adresë të presidentit amerikan, duke i thënë “mos e sulmo Sirinë”.

Trump po ashtu ka thënë se “presidenti duhet të marrë miratimin e Kongresit para se të sulmojë Sirinë”.

Sulmet mund t’i kenë zënë shumë vëzhgues në befasi, por ato nuk janë të parat nga forcat amerikane në Siri.

Në muajin shtator, është sulmuar një bazë ushtarake në qytetin lindor Deir el-Zour. Gjashtëdhjetedy njerëz janë vrarë dhe mbi 100 ushtarë të qeverisë janë plagosur. Megjithatë, Pentagoni ka thënë se sulmi ka pasur në shënjestër militantët e Shtetit Islamik dhe jo një objekt të qeverisë.

Sidoqoftë, sulmi rasketor i së premtes, i cili ndodhi pas 77 ditësh të administrimit të Trumpit, ka përforcuar sinjalet për një ndryshim të madh në politikën amerikane, sa i përket Assadit.

Vetëm javën e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka thënë se fati i Assadit duhe të lihet në duart e popullit sirian.

“Bisedimet janë në zhvillim e sipër. Nuk do të ketë rol për të për të qeverisur popullin sirian”, tha Tillerson vetëm disa orë para sulmeve të SHBA-së në Siri. (REL)

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG