Ndërlidhjet

Tillerson do t’i bëjë presion Rusisë për Sirinë, derisa tensionet rriten


Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson
Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, pritet t’i sfidojë zyrtarët rusë në Moskë lidhur me mbështetjen e Rusisë për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, pas asaj që Shtetet e Bashkuara thonë se ishte sulm barbar me armatim kimik i forcave të tij, javën e kaluar.

Tillerson e ka filluar, të mërkurën, takimin me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe zyrtarët e tjerë rusë, disa ditë pasi Uashingtoni e sulmoi me raketa speciale një bazë ajrore siriane, për të cilën Shtëpia e Bardhë thotë se ishte përdorur për lansim të sulmit me gaz, nga i cili u vranë dhjetëra civilë në një qytet nën kontroll të kryengritësve në Siri.

Arritja e djeshme e Tillersonit në Moskë u bë përkundër një retorike tejet të ashpër nga të dy palët dhe dyshimet e shtuara për gjasët e një lloji të afrimit të sërishëm, për të cilin presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur mbështetje gjatë fushatës së tij presidenciale, vitin e kaluar.

Trump disa herë ka thënë se dëshiron përmirësim të raporteve me Rusinë, që janë dëmtuar rëndë për shkak të konflikteve në Siri dhe Ukrainë, megjithëse administrata e tij nuk ka treguar shenja të qarta të zbutjes së politikave të zbatuara nga ish-presidenti, Barack Obama, që synonin presion dhe izolim ndaj Kremlinit.

Tensionet me Rusinë zoti Trump i përshkallëzoi javën e kaluar, duke urdhëruar sulme raketore kundër një baze ajrore siriane, pas sulmit me armatim kimik, nga i cili janë vrarë 87 vetë.

Operacioni ushtarak amerikan e ka zemëruar pa masë Moskën - mbështetësi kryesor i Assadit në luftën civile gjashtëvjeçare në Siri - që ka vlerësuar se sulmet raketore amerikane paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Është e qartë për ne se sundimit të familjes Assad po i vjen fundi”, u tha Tillerson gazetarëve në Itali para se të nisej për në Moskë, dhe ka shtuar se “ne shpresojmë se qeveria ruse konkludon se është radhitur me një partner të papërgjegjshëm siç është Bashar al-Assad”.

Nga ana tjetër, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka shfrytëzuar ditën e arritjes së Tillersonit në Moskë, për ta kritikuar Uashingtonin, në komenetet e para publike të tij për Sirinë prej sulmeve raketore amerikane.

Putin u tha reporterëve se Moska do të kërkojë nga një agjenci e Kombeve të Bashkuara në Hagë për të zhvilluar hetime lidhur me vrasjet nga armatimi kimik.

Sipas tij, Rusia ka siguruar inteligjencë lidhur me “provokimet” e planifikuara me involvim të armatimit kimik, që do të përdorej për ta akuzuar qeverinë e Assadit.

“Ne kemi informacione nga burime të ndryshme se provokimet e këtilla - nuk mund t’i quaj ato ndryshe – po përgatiten në rajone të tjera në Siri, përfshirë periferinë jugore të Damaskut, ku ata përsëri planfikojnë të hedhin një lloj të substancës dhe ta akuzojnë autoritetin zyrtar sirian për përdorim të tij”, tha dje Putin gjatë një konference për gazetarë që u transmetua në televizion.

Zoti Putin nuk ka ofruar prova për këto pretendime të tij.

Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore i kanë hedhur poshtë vlerësimet e Moskës dhe Damaskut, se gazi vdekjeprurës ishte liruar më 4 prill në provincën Idlib, kur sulmet ajrore të qeverisë e kishin goditur armatimin kimik të kryengritësve.

“Personalisht e kam rishqyrtuar inteligjencën dhe nuk ka dyshim se regjimi i Sirisë është përgjegjës për vendimin për të sulmuar dhe për vetë sulmin” në qytetin Kan Sheikoun, më 4 prill, nga i cili u vranë 87 vetë", tha sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis.

Derisa disa zyrtarë amerikanë kanë thënë se besojnë se Rusia kishte luajtur rol, duke theksuar se i ka pasur forcat e vendosura në bazën e njejtë ajrore prej nga aeroplanët sirianë e lansuan sulmin, Mattis tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë provë për involvim të Rusisë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG