Ndërlidhjet

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka paralajmëruar Korenë e Veriut që të mos testojë vendosmërinë e presidentit, Donald Trump, duke thënë se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”, për frenimin e programit të raketave dhe armëve bërthamore të Phenianit.

Pence tha gjatë një konference për media në Seul, se aksionet e fundit ushtarake të SHBA-së në Siri dhe Afganistan, kanë sinjalizuar “fuqinë dhe vendosmërinë e presidentit tonë të ri”.

“Koreja e Veriut do të bënte mirë sikur të mos testonte vendosmërinë e tij, apo fuqinë ushtarake të SHBA-së në rajon”, tha Pence, gjatë konferencës së përbashkët për media me ushtruesin e detyrë së presidentit të Koresë së Jugut, Hwang Kyo-Ahn.

Këto komente të Pence erdhën pasi ai vizitoi zonën e demilitarizuar koreane dhe fshatin kufitar të Panmunjom, ku tha se “epoka e durimit strategjik” të SHBA-së ndaj Koresë së Veriut ka përfunduar.

Vizita e Pence në kufirin në mes të Koresë së Jugut dhe Veriut, vjen në kohën kur tensionet në gadishull janë rritur pas programit bërthamor të Phenianit.

Duke folur nga Shtëpia e Lirisë, disa metra nga vija ushtarake e demarkacionit, Pence tha se “banorët e Koresë së Veriut, ushtria verikoreane, nuk duhet të gabohen për vendosmërinë e SHBA-së për të qëndruar përkrah aleatëve”.

Një ditë më parë, Veriu dështoi të lansoi një raketë, e cila shpërtheu pothuajse menjëherë pasi u lëshua.

Nënpresidenti amerikan, Pence është në turneun e tij dhjetëditor në Azi.

Ai do të vizitojë aleatin kyç, Japoninë, shtet ky që po ashtu ka dënuar programin bërthamor të Koresë së Veriut.

XS
SM
MD
LG