Ndërlidhjet

Vëzhguesit dyshojnë për manipulim votash në referendum në Turqi


Fletvotimi në referendumin në Turqi
Fletvotimi në referendumin në Turqi

Anëtarja e misionit vëzhgues të Këshillit të Evropës në Turqi, Alev Korun nga Austria, tha të martën se më se 2.5 milionë vota mund të kenë qenë të manipuluara në referndumin e kontestuar, me të cilin janë zgjeruar kompetencat e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe i cili i mundëson atij që në presidencë të mbetet deri në vitin 2029.

Monitoruesja, Alev Korun, njëherësh anëtare e Parlamentit të Austrisë, tha se manipulimi i mundshëm i votave pothuajse e kishte dyfishuar diferencën në favor të fitores së Erdoganit, në referendumin e mbajtur më 16 prill.

Kjo ka të bëjë me faktin se aktualisht ligji lejon vetëm zarfe zyrtare votuese”, tha Korun dhe ka shtuar se “autoriteti më i lartë zgjedhor megjithatë ka vendosur, ashtu siç ishte, kundër ligjit – se zarfet pa vulë zyrtare duhet pranuar”.

Ekziston dyshimi se deri në 2.5 milionë vota kanë mundur të jenë të manipuluara”, i tha ajo radios ORF.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila ndaras ka pasur mision observues, tha se Ankaraja nuk ka bashkëunuar në hetimin lidhur me mashtrimin votues.

Opozita kërkon anulim, por kryeministri kërkon respektim të rezultatit

Partia kryesore opozitare në Turqi formalisht ka kërkuar anulimin e rezultatit të referendumit, por kryeministri, Binali Yildirim, tha se forcat politike duhet ta respektojnë rezultatin zyrtar të referendumit.

Zëvendëslideri i Partisë Popullore Republikane (CHP), Bulent Tezcan, ka shpallur se dje e ka plotësuar kërkesën në Bordin e Lartë Elektoral, duke arsyetuar se rezultatet e referendumit për ndryshime kushtetuese janë “jolegjitime” për shkak të parregullsive në votim.

Ky kundërshtim nga kjo parti sekulare u bë për shkak të shqetësimeve në rritje të partive opozitare dhe monitoruesve ndërkombëtarë për parregullsi madhore në referendum.

Kritikët e presidentit Erdogan thonë se reformat do t’i japin autoritet të gjerë 'njeriut me prirje në rritje autokratike, derisa do të mbeten pak kontrolle dhe balance në Turqi'.

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, tha se “secili duhet ta respektoj rezultatin, e veçanërisht opozita kryesore”, pasi “vullneti i popullit është reflektuar në kutitë e votimeve dhe debati ka përfunduar”.

Por, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Turqia që të inicojë “hetime transparente” për dyshimet për parregullsi në votime dhe të bëjë përpjekje për ta bashkuar kombin e ndarë.

“U bëjmë thirrje autoriteteve të Turqisë ta shqyrtojnë hapin e ardhshëm në mënyrë shumë të kujdesshme dhe të synojnë konsenzus sa më të gjërë të mundshëm kombëtar pas referendumit”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Erdogan i ka hedhur poshtë kritikat, duke thënë se Turqia nuk “i shikon, i dëgjon ose i njeh, raportet e motivuara politikisht” të monitoruesve ndërkombëtarë.

Mijëra njerëz kanë protestuar parmbrëmë në Stamboll dhe në disa qytete të tjera të Turqisë kundër rezultateve të referendumit.

Ata kanë shprehur zemërim për ndryshimet e minutave të fundit në procedurat e referendumit, pasi Bordi i Lartë Elektoral vendosi t’i lejoj si të vlefshme, më tepër se një milion fletëvotime pa vulë zuyrtare.

Putin dhe Trump e uruan Erdoganin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për fitore në referendum, ka njoftuar Kremlini.

Presidenca e Rusisë tha se Putin i ka telefonuar Erdoganit dhe e ka uruar për “udhëheqjen e suksesshme” të referendumit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po ashtu, e ka thirrë presidentin Erdogan për “ta uruar atë për fitoren aktuale në referendum” dhe për të diskutuar për situatën në Sirinë fqinje.

Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka theksuar shqetësimet e observatorëve dhe ka kërkuar që Turqia t’i respektoj pikëpamjet e ndryshme dhe “të mbajë një dialog politik kumptimplotë” me opozitën.

Ne kërkojmë nga Qeveria e Turqisë që t’i mbrojë të drejtat fundamentale dhe liritë e të gjithë shtetasve të vet, pavarësisht” se si kanë votuar ata, tha Departamenti Amerikan i Shtetit, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe vazhdojnë ta mbështesin zhvillimin demokratik të Turqisë, ku esencial mbetet përkushtimi për sundim të ligjit dhe media të lira dhe të ndryshme”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG