Ndërlidhjet

Ades-Mevel: Mjedisi i sigurt mediatik në Ballkan, kriter për anëtarësim në BE


Ilustrim

Drejtoresha për Ballkanin e Reporterëve pa Kufi, Pauline Ades-Mevel i tha Radios Evropa e Lirë se ‘liria e shprehjes dhe liria e medias janë pjesë të kritereve që pritet të përmbushen nga vendet aspiruese të Ballkanit për anëtarësim në BE’.

Ades-Mevel tha se gazetarët në rajonin e Ballkanit përballen me mungesën e sigurisë dhe veçanërisht me kulturën e mosndëshkimit.

Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ në raportin e fundit për lirinë e shtypit ka tërhequr vërejtjen për rritjen e kërcënimeve ndaj mediave jo vetëm në vendet autoritare, por edhe në ato që konsiderohen si modele të demokracisë.

Drejtoresha e deskut për Ballkanin, Pauline Ades-Mevel, tha se Kosova ka shënuar përparim në shkallën e lirisë së medias, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, por sipas Ades-Mevel gazetarët e kanë ‘të komplikuar raportimin kritik’.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Pauline Ades-Mavel me çfarë pengesash përballen mediat sot në Ballkan?

Pauline Ades-Mevel: Pengesa kryesore me të cilën përballen gazetarët në Ballkan është problemi i sigurisë. Është një prej kritereve kryesore për këto vende që të arrijnë një nivel të sigurisë për të mundësuar zbatimin e gazetarisë hulumtuese dhe që të raportojnë në mënyrë të sigurtë gjithandej rajonit të Ballkanit.

Tani për tani, Bashkimi Evropian e ka shndërruar në kriter për vendet e Ballkanit, që ta arrijnë një nivel të sigurisë, për t’iu bashkuar BE-së. Kemi vërejtur se është e vështirë për gazetarët që të hulumtojnë, në njërën anë, por në anën tjetër kemi vërejtur se është e vështirë që të shihet se kryesit e sulmeve nuk ndiqen penalisht gjithmonë. Ekziston një lloj mosndëshkueshmërie dhe kjo nuk është një shenjë e mirë, sepse për gazetarët e tjerë mund të çojë drejt një auto-censure.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë mes a është Kosova në të njëjtin nivel sikur edhe vendet e tjera të Ballkanit, apo problemet janë të ndryshme brenda vendeve të Ballkanit?

Pauline Ades-Mevel: Problemet nuk janë të njëjta. Kosova, aktualisht, është më mirë në radhitjen tonë këtë vit duke zbritur për tetë vende, dhe këtë vit ajo radhitet në indekson tonë në vendin e 82-të. Por problemet janë të ndryshme në Kosovë në krahasim me Serbinë ose Maqedoninë, dhe ato janë jashtëzakonisht shqetësuese tani për tani. Në Serbi kemi vërejtur shumë probleme dhe trysni mbi gazetarët.

Në Maqedoni kemi një situatë të rëndë politike që është shqetësuese me sulme fizike dhe verbale mbi gazetarët deri sa po raportonin nga demonstratat. Në Kosovë duket sikur kishte një mjedis më të mirë për gazetarët. Por, ne mendojmë se është e komplikuar për ta që të bëjnë raportim kritik dhe nuk është arritur në një pikë ku situata është e sigurt dhe e lehtë për gazetarët.

Radio Evropa e Lirë: Çka më saktësisht keni parë si pengesë në rastin e Kosovës? Çka nënkupton raportimi kritik, që ju i referoheni?

Pauline Ades-Mevel: Sulmet, në fillim të këtij muaji, p.sh. Dy gazetarë hulumtues nga Kosova u përballën me kërcënime me vdekje. Ky është një problem për ne sepse këta gazetarë dhe këto media kanë telashe në punën e tyre. Kjo nuk duhet të ndodh. Dhe unë mendoj se nuk është ky rasti i parë. Në tetor [të vitit të kaluar] një redaktor i Gazetës Express mori kërcënime me vdekje përmes mediave sociale pas një dokumentari që trajtonte krimet e luftës.

Fakti se këta njerëz po përballen me këto lloje të kërcënimeve dhe me rreziqe dhe njëkohësisht kryesit e veprës nuk sillen përpara drejtësisë, është një problem i madh.

Radio Evropa e Lirë: Kur e shohim gjithë këtë që ju e thoni për rajonin e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, duket sikur nuk ka një perspektivë premtuese. Atëherë, çfarë duhet të bëhet për të tejkaluar këto probleme?

Pauline Ades-Mevel: Sot është e qartë se me aspiratën evropiane të rajonit të Ballkanit fakti se duhet të ndërtohen media të lira në këto vende është absolutisht e domosdoshme. Mendoj se liria e shprehjes dhe liria e medias janë pjesë të kritereve që pritet të përmbushen për anëtarësim ne BE. Gjithnjë përderisa gazetarët përballen me mjedise armiqësore që jua pamundëson raportimin kritik Ballkani nuk do të konsiderohet si një mjedis i sigurt ku liria e shtypit është e pranishme.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk ka perspektivë evropiane për vendet e Ballkanit derisa nuk e përmirësojnë mjedisin mediatik?

Pauline Ades-Mevel: Mjedisi mediatik është një prej përparësive kryesore për lirinë e shprehjes në përgjithësi. Nuk ka asnjë mundësi që cilado nga këto shtete të arrijë kriteret gjithnjë derisa ekzistojnë këto lloje të kërcënimeve dhe rreziqe me të cilat përballen gazetarët. (REL)

XS
SM
MD
LG