Ndërlidhjet

Koreja e Veriut dështon në lansimin e një rakete balistike

  • RFE /RL

Foto nga arkivi

Koreja e Veriut ka sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore duke testuar një raketë balistike më 29 prill.

Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë thënë se raketa që është lëshuar nga një zonë në veri të Phenianit, si duket ka dështuar. Zyrtarët jug-koreanë kanë thënë se raketa është shkatërruar disa minuta pasi është lëshuar.

Ky testim vjen pas përpjekjeve të SHBA-së për të fituar mbështetje ndërkombëtare për ndalimin e Phenianit për të kryer teste të tilla.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pasi është njoftuar për lansimin e raketës në Shtëpinë e Bardhë, ka shkruar në Twitter se Koreja e Veriut “nuk ka respektuar dëshirat e Kinës dhe presidentit kinez”, një referencë kjo për paralajmërimet e fundit të Kinës ndaj Koresë së Veriut, se çdo testim i ardhshëm i armëve bërthamore, do të çojë në vendosjen e më shumë sanksioneve nga Pekini.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë, Xinhua, ka thënë se Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të kujdesshëm në veprimet e tyre.

“Nëse dy palët dështojnë që të bëjnë koncesione të nevojshme, atëherë jo vetëm këto dy vende, por i gjithë rajoni dhe bota do të paguajë një çmim të rëndë nga një konfrontim i mundshëm”, ka shkruar në një koment kjo agjenci.

Lansimi i raketës erdhi vetëm disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson në Organizatën e Kombeve të Bashkuara se kërcënimi nga sulmet bërhtamore të Veriut mbi Seul apo Tokio “është real” dhe dështimi për të vepruar do të mund të sjellë “pasoja katastrofike”.

Në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 28 prill, Tillerson u bëri thirrje anëtarëve të OKB-së të forcojnë sanksionet financiare ndaj Koresë së Veriut ose të reduktojnë marrëdhëniet diplomatike me Phenianin, në përgjigje të programeve të tij të paligjshme me armë bërthamore dhe balistike.

Ai ka thënë se Koreja e Veriut për vitet të tëra ka ndërmarrë veprime të “rrezikshme”, duke shtuar se është koha që “ne të rimarrin nën kontroll situatën”.

“Për një kohë të gjatë, komuniteti ndërkombëtar ka qenë reaktive në adresimin e çështjes së Koresë së Veriut. Ato ditë kanë marrë fund. Dështimi për të vepruar në çështjen më urgjente të sigurisë në botë, mund të sjellë pasoja katastrofike. Ne e kemi thënë edhe më herët këtë, por ja vlen ta përsërisim: politika e durimit strategjik ka përfunduar. Durimi i mëhershëm do të thotë pranim të Koresë së Veriut me program bërthamor”, ka thënë Tillerson.

Tillerson ka thënë se SHBA parapëlqen përpjekjet diplomatike por ai ka thënë se nëse është e nevojshme, SHBA-ja mund të bëjë aksione ushtarake, për të ndaluar agresionin e Veriut.

Testi i raketës balisitike të Koresë së Veriut, vjen në kohën kur avionmbajtësi amerikan, USS Carl Vinson ka arritur në Gadishullin korean, duke iu bashkuar nëndetëses amerikane USS Michigan.

Gazeta zyrtare verikoreane ka thënë se arritja e këtyre avionmbajtësve është “veprim i pamatur i maniakëve të luftës që synojnë një luftë shumë të rrezikshme bërthamore.

Në komentet e kësaj gazete po ashtu është thënë se raketat balistike interkontinentale do të “fluturojnë drejt SHBA-së nëse Uasingtoni bën provokim”.

Programi i armëve bërthamore dhe raketave balistike të Phenianit janë ndaluar nga OKB-ja.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG