Ndërlidhjet

Tregu i punës deficit për kuadro të caktuara


Ilustrim

Kosova vazhdon të përgatis kuadro të cilët punësohen në zyre apo administratë, kryesisht juristë, ekonomistë dhe shumë pak përgatiten kuadro në drejtimet që kanë të bëjnë me shkathtësi teknike, aty ku edhe kërkohen më shumë vende pune.

Agron Demi, analist i politikave në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë se struktura e tregut të punës në Kosovë ka deficit të kuadrove të caktuar.

“Qeveria e Kosovës ka aprovuar një strategji gjithëpërfshirëse të zhvillimit ekonomik edhe në atë dokument e identifikon kualitetin në arsim dhe përgatitjet në tregun e punës si një nga problemet kyçe ku do të duhej të intervenohej më shumë, por që kjo strategji është aprovuar gati dy vjet dhe nuk ka asnjë hap konkret që të përmirësohet sistemi arsimor me qëllim të përgatitjes së kuadrove për vendet e punës që pritet të jenë në të ardhmen apo edhe këto aktuale”, thekson Demi.

Në Kosovë, më së shumti thuhet se mungojnë inxhinierë të profileve të ndryshme, profesionistë me përvojë pune në fushën e telekomunikacionit, kibernetikës, energjisë dhe në disa lëmi tjera.

Derisa, konsiderohet të këtë numër të lartë të ekonomistëve e juristëve.

“Ne ende vazhdojmë që shumicën e njerëzve t’i përgatisim për zyrë apo për vende të punës në administratë si juristë, ekonomistë, shkenca politike, sociolog, por shumë pak është punuar në drejtimet që kanë të bëjnë me shkathtësi teknike, ku vendet e punës janë aty, si dhe në ato shkathtësi që kërkohen në teknologji informative”.

“Ne kemi një rini e cila ato shkathtësi që i ka fituar në fushën e teknologjisë informative më shumë i ka fituar falë angazhimit vetanak sesa në sistemin arsimor”, thekson Demi.

Nivelin e lartë të papunësisë në Kosovë thuhet ta kenë rritur edhe mungesa e kuadrove në lëmi të caktuara.

Papunësia, ndërkohë, vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Sipas anketës së fuqisë punëtorë të tremujorit të katërt të vitit 2016, papunësia në Kosovë është 28.7 për qind.

Supozohet se çdo vit në tregun e punës në Kosovë janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 vjeç e më lart, derisa po ky treg mund të absorbojë nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Tregtia, prodhimi, ndërtimtaria dhe arsimi punësonin më shumë se gjysmën e personave të punësuar në Kosovë, thuhet në të dhënat e Agjencisë së Statikave të Kosovës.

Edhe të diplomuarit në Kosovë kryesisht ata të Fakultetit Juridik, thonë të kenë problem gjetjen e një vendi të punës.

Adelina, studente në studimet master në fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, shprehet:

“Në Kosovë në përgjithësi është vështirë të gjesh një vend pune, më të vështirë e bën edhe fakti se njohurit që ne i marrim në studime nuk mjaftojnë që të jemi të aftë të hymë në tregun e punës, na duhet të profesinalizohemi më shumë në lëminë që ne kemi zgjedhur”, thotë ajo.

Hulumtimet e bëra nga organizatat ekonomike në Kosovë ishte thënë se shumë investitorë të huaj që kanë privatizuar asetet e Kosovës, për të zëvendësuar mungesën e profesionistëve, kanë marrë punëtorë jashtë vendit.

Derisa, njohës të çështjeve të arsimit në Kosovë, kishin shtuar nevojën e rishikimit programeve në mënyrë që t’i përshtaten më mirë kërkesave të tregut të punës.

Po ashtu ishte theksuar se një problem tjetër që ka Kosova si treg i vogël dhe me një ekonomi të varfër nuk mund t’i absorbojë të gjithë ata që diplomojnë, prandaj duhet që të rinjtë të jenë të përgatitur për një treg më të gjerë, për tregun e punës në rajon, respektivisht për tregun evropian. (REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG