Ndërlidhjet

Bashkëpunimi i vështirë SHBA-Rusi në luftën kundër krimit kibernetik


Të rinjë rusë të kërkuar nga FBI e SHBA-së për krime kibernetike

Hakerin rus, Roman Seleznyov, një gjykatë federale e Shteteve të Bashkuara e ka dënuar vitin e kaluar me 27 vjet burgim.

Seleznyov nuk është rusi i parë që është kapur në një rrjet të gjerë të kriminelëve kibernetikë nga e gjithë bota. Të tjerët përfshijnë Aleksandr Panin, i dënuar në një gjykatë federale në Atlanta, më 2016, për krijimin e një programi kibernetik, i cili ka infektuar miliona kompjuterë dhe llogari bankare.

Është edhe Yevgeny Nikulin, i cili qëndron në një burg të Republikës Çeke, qëkur është arrestuar në tetor, derisa Moska dhe Uashingtoni luftojnë për ekstradimin e tij.

Në ditën kur është dënuar Seleznyov, prokurorët amerikanë kanë njoftuar se kanë akuzuar një tjetër rus, Pyotr Levashov, të arrestuar në Spanjë, për krijimin e një virusi kompjuterik, për të vjedhur para nga llogaritë bankare.

Zyrtarët amerikanë thonë se Seleznyov, djali i një ligjvënësi rus, ka përfituar 170 milionë dollarë nga shitja e informacioneve të vjedhura online qysh në vitin 2007. Më 2009, ai ka qenë njëri nga ofruesit më të mëdhenj në botë të të dhënave të tilla të vjedhura.

Konstatimi se Seleznyov qëndronte prapa kësaj skeme bëri që hetuesit amerikanë të kërkonin ndihmën e Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, në vitin 2009, thuhet në materialin që kanë paraqitur prokurorët në gjykatën federale në SHBA.

Në Moskë, ata janë takuar me zyrtarë nga Qendra për Sigurinë e Informacionit, përfshirë zëvendëshsefin Sergei Mikhailov dhe vartësin e tij, Dmitry Dokuchayev, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë ish-zyrtarë dhe zyrtarë të tanishëm amerikanë.

Mirëpo, lajmi për takimet ka rrjedhur dhe Seleznyov i ka mbyllur operacionet e tij një muaj më vonë.

Siç kanë thënë prokurorët amerikanë në dokumentet për gjykatën, Seleznyov është incizuar duke i thënë një kolegu më 2008 se “ka marrë mbrojtje” nga Shërbimi Federal i Sigurisë.

Seleznyov pastaj është rishfaqur duke përdorur pseudonime të tjera, por në bazë të akuzës së ngritur më 2011, agjentët amerikanë e kanë arrestuar derisa bënte pushime në Maldive, më 2014.

Juria federale e ka dënuar atë më 21 prill të vitit të kaluar me 27 vjet burgim.

"Asnjëherë më parë një kriminel i angazhuar në mashtrime kompjuterike të kësaj shkalle nuk është identifikuar, kapur dhe dënuar nga një juri amerikane", kanë thënë prokurorët në dosjet e tyre gjyqësore.

Dokuchayev, me të cilin amerikanët janë takuar në Moskë më 2009, ka qenë i njohur më herët në qarqet kibernetike me nofkën Forb. Ai ka punuar me zyrtarë të Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, përfshirë Igor Sushchin, për të rekrutuar hakerë që do të bashkëpunonin me agjencinë ruse në aktivitete kibernetike.

Në mesin e të rekrutuarve ka qenë Aleksei Belan, të cilin FBI e kërkon qysh në vitin 2012 për piraterim të dyshuar dhe mashtrim kompjuterik.

Arrestimet dhe akuzat penale, si në Rusi, ashtu ede në SHBA, sipas ekspertëve, nxjerrin në pah kufirin gri midis zbatimit të ligjit rus dhe rrjeteve kriminale.

“Moska ende varet, në një masë të konsiderueshme, nga rekrutimi i kriminelëve kibernetikë”, ka shkruar në një raport Mark Galeotti, ekspert për agjencitë e inteligjencës ruse, me bazë në Pragë.

“Është një zonë gri që paraqet rrezik për vetë Rusinë”, thotë në anën tjetër Ruslan Stoyanov, rus i akuzuar për tradhti dhe ish-hetues i Ministrisë së Brendshme.

Në një letër të publikuar nga kanali televizv Dozhd, Styanov, i cili ka punuar me kompaninë për sigurinë komjuterike Kaspersky Lab në Moskë, ka paralajmëruar se bashkëpunimi i Rusisë me kriminelët kibernetikë vetëm se do t’i inkurajojë ata.

“Skenari më i keq do të ishte t’iu jepet imunitet nga ndëshkimi kriminelëve kibernetikë, në këmbim të informacioneve. “Nëse kjo ndodh, do të shfaqet një shtresë e tërë e ‘hajdutëve patriotë’ që shkelin parimet e shtetit të së drejtës. Do të shohim një valë të re të krimit në Rusi”, ka thënë Styanov.

Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi është akuzuar edhe për përfshirje në piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokratike në SHBA, gjatë zgjedhjeve presidenciale më 2016.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG