Ndërlidhjet

Kushtet e LDK-së për demarkacionin vënë në sprovë qeverinë


Demarkacioni i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi
Demarkacioni i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi

Qeveria e Kosovës është duke e shqyrtuar propozimin e një grupi të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, propozim i cili synon krijimin e mundësive që projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të kalojë në legjislativin e vendit, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit.

Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se propozimi i ri, për shkak të çështjes që merr në shqyrtim, si dhe për faktin se është bërë nga një grup me numër relevant të deputetëve, tashmë ka marrë vëmendjen e qeverisë.

“Është fjala konkretisht për një propozim që ka ardhur nga 17 deputetë të Kuvendit të Kosovës, që ka të bëjë me disa vërejtje, shtesa apo ndryshime që kërkohen të bëhen në këtë projektligj, përpara se ai të procedohet. Prandaj, lidhur me këtë, kryeministri (Isa) Mustafa është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit që e kanë bërë këtë propozim, për të parë se cilat janë mundësitë që procesi i demarkacionit të shtyhet përpara. Kryeministri Mustafa ka kontakte edhe me faktorët e tjerë relevantë ndërkombëtarë rreth kësaj çështjeje”, tha Abdullahu.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë konfirmuar se propozimi i grupit prej 17 deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parasheh që në projektligj për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të futet edhe mundësia që në afat prej dy vjetësh të rishqyrtohen pikat kontestuese të këtij kufiri, të paktën në dy zona të këtij kufiri.

Në grupin prej 17 deputetëve që kanë dhënë propozimin, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë edhe shumica e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës,të cilët kanë kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes për shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, në formën e konstatuar nga Komisioni qeveritar për këtë çështje.

Por, Shpejtim Bullliqi, një nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët janë kundërshtarë të versionit të tanishëm të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk ka ende njohuri lidhur me përmbajtjen e propozimit të grupit të deputetëve të partisë së cilës edhe ai i përket.

Megjithatë, sipas tij, në parim, propozimi për rishikim të mëvonshëm të një ligji të ratifikuar, nuk është praktikë e dëshmuar.

“Nuk ka mundësi që njëkohësisht të bëhet ratifikimi dhe rishikimi, sepse këto dy koncepte janë krejtësisht të ndryshme, në këtë moment, të kësaj problematike. Nuk kam informacione të hollësishme se çfarë është punuar, mirëpo, mendoj që në qoftë se ka çfarëdo solucioni apo mundësie, për këtë çështje duhet të flasin juristët dhe njohësit e të drejtës ndërkombëtare”, tha Bullqi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre kundërshtues ndaj marrëveshjes aktuale për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Muharrem Nitaj, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo parti opozitare mbetet në qëndrimin e saj përballë përpjekjeve, siç i ka quajtur ai, dëshpëruese të kryeministrit Isa Mustafa që ta kalojë marrëveshjen në fjalë.

“Si po mendon kryeministri dhe këta deputetë se mund ta ratifikojnë dhe ta kthejnë marrëveshjen e demarkacionit kur të duan ata? Kjo është marrëveshje ndërmjet dy shteteve dhe nuk mund ta pranosh njëherë, e pastaj të bëhesh pishman. Kosova nuk e ka zorin të bëjë eksperimente të tilla. Çështja është shumë e thjeshtë. Qeveria e ka kryer punën e vet dhe është mirë që ajo të mos merret me këtë punë më fare. As kryeministri nuk duhet të merret me marrëveshjen e demarkacionit. Tani, fjalën e kanë deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Nitaj.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se shqyrtimi i propozimit të grupit të 17 deputetëve po bëhet në bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet partnerëve të koalicionit.

Zyrtarët e ekzekutivit, ditë më parë kanë theksuar se projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, gjatë kësaj jave.

XS
SM
MD
LG