Ndërlidhjet

Macron dhe Le Pen përplasen për ekonominë, terrorizmin, Rusinë…


Marine Le Pen dhe Emmanuel Macron
Marine Le Pen dhe Emmanuel Macron

Kandidatët për president të Francës u përplasën në një debat televiziv, të mërkurën mbrëma, duke fyer dhe kritikuar njëri-tjetrin për çështje si: anëtarësia në Bashkimin Evropian, lufta kundër terrorizmit dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Debati u zhvillua derisa sondazhet e opinionit nxirrnin kandidatin e qendrës, Emmanuel Macron, në kryesim të fortë, me 20 përqind, përballë kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Le Pen përmendi rolin e Macronit si ish-bankier investues, tha se favorizon “uberizimin” e ekonomisë dhe “globalizimin e egër”.

“Zgjedhja politike që duhet të bëjë populli francez është e qartë. Macron është kandidat i globalizimit të shfrenuar, i ‘uberizimit’ të shoqërisë, pasigurisë, brutalitetit social, luftës së secilit kundër secilit”, tha Le Pen.

Macron kritikoi politikën e saj për të braktisur euron, duke e cilësuar si plan “të rrezikshëm” dhe “fatal”.

“Vizioni im është të ndërtojmë një euro të fuqishme, të ndërtojmë politika të fuqishme evrpiane, me të cilat do të ngrihemi për interesat e Francës”, tha Macron.

Shkëmbimet kanë kalaur edhe në personale: Macron e quajti Le Penin “parazite” dhe “priftëreshë e frikës”, ndërsa Le Pen e quajti atë “bankier të vetëkënaqur”.

Le Pen tha se Macron nuk brengoset për ekstremizimin islamik dhe se ai do ta lejojë Bashkimin Evropian të udhëheqë me Francën.

“Çfarëdo që ndodh, Franca do të udhëhiqet nga një grua: ose unë, ose zonja Merkel”, tha Le Pen duke iu refereuar kancelares gjermane.

Macron tha se politikat e Le Penit për përjashtimin e migrantëve dhe myslimanëve do të ishin në interes të terroristëve, do t’i kthenin francezët kundër njëri-tjetrit dhe do të çonin në “luftë civile”.

Dy kandidatët dallojnë shumë edhe në marrëdhëniet me Rusinë.

Macron tha se do të bëjë përpjekje të punojë me presidentin rus, Vladimir Putin, për të zgjidhur çështje rajonale si konfliktet në Siri dhe Ukrainë, porse përtej kësaj, nuk beson se Franca dhe Rusia ndajnë të njëjtat “vlera dhe prioritete”.

Le Pen, e cila ka bërë fushatë për riafrim me Rusinë, tha se është politikania me pozicionin më të mirë për të biseduar me Rusinë, Shtetet e Bashkuara nën presidentin Donald Trump, ose Britaninë, e cila po përgatitet të largohet nga Bashkimi Evropian.

“Nuk kemi arsye të jemi në Luftë të Ftohtë me Rusinë”, tha Le Pen.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të mbahet më 7 maj.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG