Ndërlidhjet

Dialogu me Serbinë të futet në fazën përmbyllëse, thonë autoritetet në Prishtinë


Dialogu në Bruksel, fotografi nga arkivi
Dialogu në Bruksel, fotografi nga arkivi

Zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës thonë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të rifillojë dhe të përgatitet për fazën përmbyllëse të tij që, siç thonë, do të ‘nënkuptonte njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve’.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri i tha Radios Evropa e Lirë, se me lirimin e Ramush Haradinajt është hequr vendimi për pezullimin e dialogut me Serbinë, i bërë me një Rezolutë të Kuvendit të Kosovës.

Ministrja Tahiri tha se dialogu tani duhet të zhvillohet në dy nivele, njëri teknik dhe tjetri politik, që do të ndihmojë, sipas saj, përmbylljen e dialogut.

"Është hequr pezullimi dhe Kosova do të vazhdojë dialogun. Për këtë fazë janë dy nivele që duhet ta trajtojmë dialogut. E para është vazhdimi i zbatimit të marrëveshjeve. Kurse sa i takon dialogut politik të nivelit më të lartë, për këtë çështje, siç e dini, ne kemi paralajmëruar se po hyjmë në fazën e tretë dhe përmbyllëse të dialogut. Natyrisht për të hyrë në fazën përmbyllëse të dialogut së pari institucionet e Kosovës do të bëjnë përgatitjet e duhura", tha Tahiri.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj iu tha anëtarëve të një komiteti për punë të jashtme të Parlamentit Evropian se “dialogu me Serbinë duhet të ketë një qëllim të qartë, që është njohja e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”.

Në pikëpamjen tonë si Qeveri, dialogu duhet të ketë qëllim të qartë dhe një nga qëllimet më të rëndësishme është njohja e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve. Pa këtë, mendoj se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i padobishëm dhe i pavlerë, por njohja e ndërsjellë duhet të jetë qëllim të cilin duhet ta kemi si një strategji të qartë për vitet në vijim”, tha Hoxhaj.

Dialogu i nisur prej më shumë se pesë vjetësh, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, u pezullua javë më parë, përmes Rezolutës që Kuvendi i Kosovës e miratoi me kërkesën për lirimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga ndalimi në Francë.

Haradinaj u ndalua në aeroportin e Baselit në janar të këtij viti sipas një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me akuzat për krime lufte në Kosovë. Ai u lirua më 27 prill nga gjykata franceze në Colmar, e cila refuzoi ta ekstradonte Haradinajn në Serbi, sipas kërkesës së Beogradit zyrtar.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu duhet të vazhdojë, por sipas tij rezoluta e miratuar nga Kuvendi duhet të zbatohet në tërësi. Ai tha se në rezolutë nuk ka qenë e vetmja kërkesë lirimi i Ramush Haradinajt, por ka pasur edhe çështje të tjera që duhet merren parasysh.

"Grupi negociator i Kosovës duhet të ketë agjenda të qarta të trajtuara në institucionet e Kosovës [Kuvend] dhe pastaj të shkohet në dialog. Në dialog ekipet duhet të shkojnë të përgatitura me tema të caktuara dhe të ketë rezultat nga ato bisedime. Pra, me agjenda të përgatitura, të aprovuara në institucione dhe atëherë të vazhdohet dialogu", tha Berisha.

Ai theksoi po ashtu se dialogu që është zhvilluar deri tani në Bruksel mes palëve, duhet të riformatohet.

Por për deputetin nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ‘objekti i rezolutës së Kuvendit të Kosovës për ndërprerjen e dialogut me Serbinë është përmbushur deri sa është liruar Ramush Haradinaj’. Sipas tij për pjesën tjetër të rezolutës duhet të punohet në vazhdimësi nga institucionet kompetente.

"Është e vërtetë se pezullimi i dialogut ka ardhur si vullnet politik, përmbi të gjitha si respektim i rezolutës së Kuvendit të Kosovës, që është nxjerrë në një nga seancat plenare, dhe e cila po ashtu shpreh vullnetin e Kuvendit për dy çështje të caktuara. Mendoj se tash objekti i trajtimit të saj është përfunduar dhe kjo mbetet në dorën e Qeverisë se si do ta procedojë dialogun. Por mbi të gjitha edhe riaktualizimin me ndërmjetësuesit ndërkombëtar", tha Zemaj.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare dhe analistët politikë, konsiderojnë se dialogu politik duhet të vazhdojë dhe çështja e normalizimit të raporteve me Serbinë, heqja e fletarresteve ndërkombëtare dhe një listë e tërë e problemeve, me të cilat Kosova përballet drejtpërdrejt, duhet të futen në agjendën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Beogradin zyrtar për, siç thonë, “qasje destruktive jo vetëm në raport me dialogun, por edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një varg marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, përfshirë edhe Marrëveshjen kornizë të Prillit të vitit 2013, që u pa si e arritura më e madhe e dialogut.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka hapur kapituj të ri të të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në, ndërkohë që Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian. (REL)

XS
SM
MD
LG