Ndërlidhjet

Luftimi i radikalizmit dhe ekstremizmit edhe përmes internetit


Ilustrim

Platformat e medieve sociale vazhdojnë të konsiderohen si një mundësi për grupet radikale dhe ekstremiste për përhapjen dhe propagandimin e ideologjive të tyre.

Ngjashëm me vendet e ndryshme në botë, kjo dukuri apo mënyrë e propagandimit, është praktikuar edhe në Kosovë.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se çështja e ekstremizmit të dhunshëm, vazhdon të jetë problematike.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se krahas rënies së interesimit të qytetarëve për të marrë pjesë në vatrat e luftës në Lindje të Mesme, ngjashëm po ndodh që edhe propaganda në rrjetet sociale të jetë minimale.

"Siç edhe e shihni në praktikë, tashmë edhe thirrjet e ndryshme, të cilat disa qytetarë që ishin në rrugë të radikalizmit, i bënin nëpër rrjetet sociale në Youtube..., e të ngjashme, tashmë pothuajse janë minimizuar, për të mos thënë janë zhdukur farë", tha Hoxha.

Mekanizmat e sigurisë të Kosovë, sipas zëvendësministrit Hoxha, janë në rrjedha të vazhdueshme për monitorimin dhe përcjelljen e çfarëdo dukurie që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e vendit.

"Policia e Kosovës e ka ngritur infrastrukturën e nevojshme për t’u përballur me çfarëdo sfide, në mesin e të cilave edhe me sfidën e radikalizmit të dhunshëm, sidomos në dinamikën aktuale të përdorimit masiv të rrjeteve sociale. Policia ka njësit të veçantë për patrullime online të këtyre rrjeteve", theksoi Hoxha.

Autoritetet nuk kanë saktësuar se sa është numri i personave, të cilët janë arrestuar për shkak të propagandës ekstremiste në internet.

Por, njohësit e çështjeve të sigurisë, vlerësojnë se Kosova përballet me kërcënime shumëdimensionale të sigurisë kombëtare dhe sigurisë njerëzore.

Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo që mungon në vend, është përmirësimi i gjendjes së përgjithshme në Kosovë, për të minimizuar faktorët ndikues në radikalizëm.

Sipas tij, ideologjia e radikalizmit të dhunshëm është sfidë e vazhdueshme.

Ramadani tha se mendon që motivet dhe faktorët ndikues në radikalizëm, sidomos te gjeneratat e reja, janë po ato të njëjta, siç kanë qenë edhe më herët, dhe siç thotë ai, ato nuk janë zvogëluar.

"Indoktrinimi që vazhdon në Kosovë, e ka një mjet jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe ato janë rrjetet sociale dhe interneti, në përgjithësi. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për njerëz, individë apo grupe që janë nga Kosova dhe veprojnë në Kosovë. Pamjet dhe manipulimet që ndodhin nga jashtë Kosovës kanë ndikim [edhe në vend]", tha Ramadani.

Ramadani konsideron se ballafaqimi me një dukuri të tillë kur persona të caktuar propagandojnë radikalizmin në rrjetet sociale, duhet mposhtur dhe me pasimin e sa më shumë informacioneve të sakta e kompetente për fenë nëpër rrjetet sociale.

"Ka disa aktivitete të vogla ku organizata të shoqërisë civile synojnë të ndërtojnë, por besoj se kjo duhet të kthehet në një program më të gjerë dhe ndërinstitucional", u shpreh Ramadani.

Ndërkaq, Ahmet Sadriu, zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë tha propaganda në internet nga radikalë të ndryshëm fetar nuk është siç ka qenë në fazën e mëhershme.

"Në aspektin e aktivitetit dhe angazhimit tonë si institucion, ne shohim rënie në këtë aspekt [të thirrjeve për radikalizëm në internet]. Ne nuk kemi ndonjë mekanizëm për t’i matur këto gjëra, por vërehet rënie në krahasim me periudha të mëhershme", bëri të ditur Sadriu.

Në Kosovë funksionon portali, “Foltash”, i themeluar nga imamë, profesorë të shkencave Islame dhe njohës të historisë së feve. Drejtuesit e këtij portali të vetëm që përmes shkrimeve kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm, thonë se synim është që nëpërmjet formave akademike-shkencore të bëhet shqyrtimi i hollësishëm i temave dhe aspekteve të ndryshme të fesë Islame.

Bekim Jashari, kryeredaktor, tha për Radion Evropa e Lirë se tendenca e përhapjes së ekstremizmit përmes internetit, vazhdon të jetë e pranishme dhe, siç u shpreh ai, për këtë çështje duhet një angazhim i institucioneve dhe në veçanti i imamëve.

"Po ne e vërejmë këtë tendencë, po me një ritëm më të vogël. Ka tendenca. Ndoshta nuk ka thirrje për t'iu bashkuar luftës në Siri dhe Irak, por vërejmë tendencën e shtrirjes së ideologjisë tani këtu, sepse atje organizata ISIS dhe Al-Nusra do të marrë fund, por shtrirja e ideologjisë është e rrezikshme tash", tha Jashari.

Një numër i kosovarëve që prej vitit 2012 nisi t’iu bashkohet fronteve të huaja të luftës në Siri e Irak, duke u vënë në krah të organizatave të shpallura terroriste.

Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon.

Autoritetet e sigurisë thonë se edhe rreth 140 persona kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra, janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që një pjesë tjetër ende po përballen me drejtësinë.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG