Ndërlidhjet

Odat shëndetësore, problem me funksionim


Ilustrim
Ilustrim

Katër oda të profesionistëve shëndetësorë, as pas afro katër vjet pas miratimit të ligjit nga Kuvendi i Kosovës, nuk kanë arritur që të funksionalizohen.

Kosova nuk ka pasur oda të profesionistëve shëndetësorë, por kjo u pa si një lehtësim i punës së institucioneve dhe në kuadër të sistemit shëndetësor, prandaj me ligj u parapa që atyre t’u kalojnë kompetenca të caktuara.

Por, ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nga mesi i javës ia ka kaluar Odës së infermierëve përgjegjësinë e fundit për rilicencimin e infermierëve dhe që e ka bërë këtë odë si lidere dhe me kompetenca të plota.

Kryetari i kësaj ode, Naser Rrustemaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka marrë kompetencat e edukimit të vazhdueshëm profesional, kodin etik dhe së fundmi rilicencimi.

Oda e infermierëve i ka mbetur t’i bartet edhe licencimi dhe të funksionalizohet në tërësi. Por stafi administrativ është paraparë me ligj të punësohet. Për shkak të çështjeve fianciare ka mbetur ende peng. Sa i përket gjërave të tjera për funksionalizim, gjithçka është në rregull dhe ne po funksionojmë. Janë kryer gjitha detyrat që i ka paraparë ligji”, ka thënë Rrustemaj.

Kosova ka 22 mijë infermierë të licencuar derisa një numër i madh prej tyre nuk janë të punësuar, megjithëse është thënë se institucionet publike kanë nevojë për më shumë infermierë.

Megjithëkëtë, profesionistët e shëndetësisë thonë se katër odat ajo e stomatologëve, farmacistëve, fizioterapeutëve dhe oda e infermierëve, nuk arritën të funksionalizohen plotësisht. që për Ministrinë e Shëndetësisë ‘problemi qëndron brenda tyre’.

Sidoqoftë, udhëheqës të Odave thonë se problemet janë në Ministrinë e Shëndetësisë që, sipas tyre, ‘ka kontrolluar punën e tyre’.

Kujtim Shala, kryetar i Odës së stomatologëve i tha Radios Evropa e Lirë, se Ministria e Shëndetësisë nuk e ka mbështetur Odën në aspektin e funksionalizimit.

“Premtimet e dhëna për funksionalizim i kanë vonuar. Unë si kryetar nuk e kam parë të arsyeshme ta zbatoj ndonjë kompetencë që nuk do të kryhej brenda suazave ligjore. Kjo me Odat e infermiervë tregon një marketing të ministrit aktual, pasi odat i ka kontrolluar Ministria në vazhdimësi, dhe kanë qenë objekt i abuzimeve të ndryshme, aferave të ndryshme, skandaleve të ndryshme korruptive, specializimeve etj”, ka thënë Shala.

Por në Ministrinë e Shëndetësisë, zëvendësministri Izet Sadiku tha se bartja e kompetencave tek shumica e odave është bërë, por kjo varet edhe nga odat se sa janë të gatshme t’i zbatojnë dhe t’i marrin kompetencat e parapara me ligj.

Ne kemi për obligim që kompetencat e parapara me ligj t’i bartim. Nëse oda nuk është e gatshme t’i marrë, ajo është çështje tjetër. Procesi ka qenë i vështirë, pasi është dashur që të ngrihen kapacitete dhe për këto duhet buxhet. Megjithatë, është marrë vendimi që të themelohen të gjitha odat përnjëherë dhe jo një nga një, siç është dashur të themelohen. Por kjo gjithsesi varet edhe nga odat se sa janë të gatshme të marrin kompetenca”, ka thënë Sadiku.

Përgjegjësitë që Odat e profesionistëve do të duhej t’i kenë marrë shtrihen në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional dhe në çështjet etike. Derisa licencimi dhe rilicencimi kanë mbetur përgjegjësi e dy institucioneve; asaj të odave dhe Ministrisë së Shëndetësisë. (REL)

XS
SM
MD
LG