Ndërlidhjet

Afganistan: Luftëtarët e Hezb-e Islam refuzojnë të dorëzojnë armët


 Gulbuddin Hekmatyar
Gulbuddin Hekmatyar

Grupi Hezb-e Islam, i kryekomandantit famëkeq afgan, Gulbuddin Hekmatyar, ka thënë sot se nuk do të dorëzojë armët, pavarësisht premtimeve se të bëjnë një gjë të tillë, ashtu siç kërkohet edhe në marrëveshjen e paqes, që ka nënshkruar ky grup me qeverinë në muajin shtator.

Vendimi nxiti reagimin e zyrës së presidnetit afgan, Ashraf Ghani, ku një zëdhënës kërkoi që grupi militant t’i përmbahet marrëveshjes, përmes së cilës Hezb-e Islam është zotuar se do të dorëzojë armët dhe do t’i jap fund kryengritjes.

Në marrëveshje po ashtu thuhet se luftëtarët e Hezb-e Islam, të cilët duan t’i bashkohen forcave qeveritare, do të mund të integrohen brenda forcave të sigurisë afgane.

Zëdhënësi i Hezb-e Islam, Qareem ur Rahman ka thënë sot se është “e nevojshme” që 3,500 luftëtarët militantë të grupit të mbajnë armët e tyre, për tu mbrojtur nga organizatat ekstremiste, siç janë talibanët dhe Shteti Islamik.

“Luftëtarët tanë janë sulmuar nga militantët”, ka thënë ai. “Nëse ata dorëzojnë armët, kush do të garantojë për sigurinë e tyre?”, ka shtuar Rahman.

Zëdhënsi i presidentit, Dava Khan Menapal, ka thënë se siguria në vend është “përgjegjësi” e qeverisë dhe se shqetësimet e ngritura nga Hezb-e Islam janë të “pajustifikueshme”.

Hekmatyar, njëri prej kryekomandatëve më famëkeq të vendit, u kthye në Kabul javën e kaluar pas më shumë se dy dekadash qëndrimi në ekzil.

XS
SM
MD
LG