Ndërlidhjet

Ushtruesi i detyrës së shefit të FBI-së: Nuk ka përpjekje për të penguar hetimin për Rusinë


Ushtruesi i detyrës së shefit të FBI-së Andrew McCabe
Ushtruesi i detyrës së shefit të FBI-së Andrew McCabe

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të FBI-së, ka thënë se nuk ka pasur asnjë përpjekje për të penguar hetimet e byrosë për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe në hetimet që po zhvillohen për lidhjet e mundshme mes bashkëpunëtorëve të presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve rusë.

Andrew McCabe ka folur para Komitetit të Inteligjencës të Senatit më 11 maj, dy ditë pasi Trump shkarkoi James Comey nga pozita e drejtorit të FBI-së.

Comey po mbikëqyrte hetimet kriminale lidhur me Rusinë dhe shkarkimi i tij ka tronditur ligjnëvësit amerikanë.

Ligjnëvësit demokratë, dhe disa republikanë, publikisht kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me arsyetimin që presidenti Trump ka dhënë për shkarkimin e Comey. Trump ka deklaruar se e ka shkarkuar Comey, për shkak të keqmenaxhimit të hetimit për emailet e kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.

I pyetur nga senatori republikan, Marco Rubio se a ka pasur përpjekje për të penguar hetimet e byrosë, McCabe është përgjigjur “jo”.

“Puna e FBI-së vazhdon pavarësisht nga çdo ndryshim... nuk ka pasur asnjë përpjekje deri më sot për të penguar hetimin tonë”, ka thënë ai.

XS
SM
MD
LG