Ndërlidhjet

Mattis dhe Yildirim flasin për armatosjen e kurdëve në Siri


Jim Mattis
Jim Mattis

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis është takuar me kryeministrin turk, në përpjekje për të zbutur tensionet në mes të dy shteteve, pas vendimit të SHBA-së për të furnizuar me armë grupin e kurdëve sirianë, të cilët po luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Në takimin me kryeministrin turk, Binali Yildirim në Londër, Mattis ka shprehur përkushtimin e SHBA-së për mbrojtjen e Turqisë, në atë që ai tha se ishte një diskutim “i sinqertë, transparent dhe i dobishëm”.

Mattis ka pranuar shqetësimet e Turqisë se armët që do t’i jepen kurdëve në Siri, mund të përfundojnë në duart e militantëve kurdë në Turqi dhe Irak, të njohur si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK). SHBA dhe Turqia e cilësojnë PPK-në organizatë terroriste.

“Ne e mbështesim Turqinë në luftën e saj kundër PPK-së”, ka thënë Mattis. “Ne asnjëherë nuk i japim armë PPK-së. Kurrë s’e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë këtë”, ka thënë ai.

Uashigtoni ka ofruar që të ndajë informaicione të inteligjencës me Turqinë, për të ulur shqetësimet e Ankarasë se furnizimi me armë nuk do të shkojë në duart e armiqëve.

Yildirim para takimit me Mattis ka paralajmëruar për “rezulutate negative” për SHBA-në, nëse nuk adreson shqetësimet e Turqisë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se do të kërkojë nga presidenti amerikan, Donald Trump që të anulojë vendimin për të furnizuar me armë kurdët sirianë, gjatë takimit që dy liderët do të zhvillojnë më 16 maj në Uashington.

XS
SM
MD
LG