Ndërlidhjet

Delegacioni i Kongresit amerikan në Kosovë


Ministri Hoxhaj me delegacionin e Kongresit të SHBA-së
Ministri Hoxhaj me delegacionin e Kongresit të SHBA-së

Një delegacion i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së, po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite në disa vende të Ballkanit, për të diskutuar çështje të ndryshme që ndërlidhen me rajonin.

Delegacioni dypartiak i Kongresit amerikan i udhëhequr nga kryetari i Komisionit juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresisti Bob Goodlatte ka takuar në Prishtinë, kryeministrin, Isa Mustafa dhe ministrin e jashtëm, Enver Hoxhaj.

Vizita e delegacionit amerikan në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:05 0:00

Gjatë takimit me kryeministrin në largim të Kosovës, Isa Mustafa, sipas një komunikate për media u bisedua për progresin e deritashëm, zhvillimet aktuale si dhe perspektivën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës në vitet në vijim.

Mustafa ka folur për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, relacionet me shtetet në rajon, suksesin e arritur në luftën kundër terrorizmit dhe për përkushtimin e plotë të Kosovës në rrugën integruese euroatlantike.

“Për Kosovën dhe popullin e saj, anëtarësimi i plotë në strukturat euroatlantike, ndryshe prej ndonjë vendi në rajon, është e vetmja alternativë”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërkaq, kongresistët amerikanë, sipas komunikatës, vlerësuan të arriturat e deritashme të Kosovës duke theksuar përkrahjen e SHBA-ve për zhvillimet e mëtejshme.Po ashtu, vijon komunikata, ata u interesuan për çështje të ndryshme që lidhen me zhvillimet aktuale në Kosovës, për relacionet me vendet fqinje, forcimin e shtetit të së drejtës, për zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

Kurse gjatë takimit me ministrin e jashtëm të Kosovës në largim, Enver Hoxhaj, është biseduar për zhvillimet e fundit në rajon dhe për përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në Ballkan, “duke iu kundërvënë vendeve perëndimore dhe duke penguar rrugën e integrimeve evroatlantike të vendeve të Ballkanit” thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Gjithashtu është folur edhe për ndikimet e tjera anti-perëndimore në Ballkan dhe për luftën kundër ekstremizmit.

Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se ministri Hoxhaj ka theksuar se “Kosova është e përkushtuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serinë përmes dialogut, që po zhvillohet me ndërmjetësim të partnerëve ndërkombëtarë.

Ministri Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara dhe rolin që ka ShBA-ja në ndërtimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

"Kemi biseduar për miqësinë dhe mbështetjen që ShBA-ja vazhdon t’ia japë Kosovës ndër vite dhe rolin e saj në shtet-ndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Po ashtu, diskutuam se si Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) dhe mbështetjen amerikane në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj.

Delegacioni, sipas agjendës, takohet edhe me një pjesë të shoqërisë civile.

Vizita e përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Kosovë bëhet pas qëndrimit në Maqedoni dhe Shqipëri dhe bisedave me zyrtarët e lartë atje për çështjet që ndërlidhen me dy vendet.

Delegacioni i Kongresit amerikan zhvillon vizitën në Kosovë në kohën kur janë shpallur zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të nxitura nga shpërbërja e Kuvendit, pas një mocioni mosbesimi për Qeverinë nga ligjvënësit e Kosovës.

XS
SM
MD
LG